Klipi i Juliana Pashës me skena lesbike
E lëshon një mashkull dhe e përqafon një femër. Kjo është fabula mistike e klipit “It’s all abort you”, që është realizuar nga Pali Kuke, për t’u përfaqësuar në Festivalin Europian që organizohet më 25 maj në Oslo të Norvegjisë. Juliana Pasha, këngëtarja përfaqësuese e Shqipërisë, do të këndojë e 12-ta këngën me muzikë të Ardit Gjebresë dhe vargje të Pirro çakos, në garën ku konkurrojnë këngëtare dhe grupe muzikore nga 39 shtete europiane. Deri në daljen e saj në skenë, gjithë fansat e këtij organizimi kanë pasur mundësinë të shohin klipin në televizionet muzikore dhe youtube, një realizim vërtet mbresëlënës me shumë detaje, që mund të hapin diskutime rreth elementëve dhe simbolikave të përdorura. Elementë të një marrëdhënie në krizë femër-mashkull dhe gjetja e shpirtit binjak e femrës, te një femër tjetër në këtë klip, është realizuar me imazhin e këngëtares që duket sikur përqafon femrën e saj të ngjashme. Mund të ketë diskutime, nëse kjo është një gjetje që i përafrohet homoseksualizmit si një kauzë tashmë botërore që mund të godasë dhe të ketë sukses në art. Po ashtu shumë detaje të flijimit në vetmi të saj apo simboleve të tjera mund të çojnë tek një ide e tillë. Megjithatë le të presim suksesin e Juliana Pashës, e cila do të dalë pa koreografi në skenë, por e shoqëruar nga zëra black të tri këngëtareve amerikane dhe violinistit Olen çezari.