E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elizabeta e Dytë, gjashtëdhjetë vjet në fronin e monarkisë më të madhe të botës

07-02-2012 / "Times"

Nisin në Britaninë e Madhe festimet për 60 vjetorin e fronëzimit të Elizabetës së Dytë, monarkes së dytë më jetëgjatë në 1000 vjet. Kremtimet përkojnë me një moment kur është shtuar popullariteti i familjes mbretërore dhe kur bëhen bilancet e karakterit reformator të këtij mbretërimi në këto 60 vjet

Përvjetorët u ofrojnë njerëzve, kombeve dhe institucioneve një mundësi për të reflektuar veten e tyre, qëllimet dhe arritjet. Jubileu mbretëror, ashtu siç nënkuptohet edhe nga emri, është shans për festën e mbretërimit të një monarku. Është Mbretëresha Elizabeta II ajo dhe kombi britanik që të hënën shënuan 60-vjetorin e ardhjes së saj në fron. Elizabeta II e Anglisë e mori fronin në shkurt 1952 në moshën 25 vjeçare. Në vitin 1947 ajo u martua me Phillip Mountbatten me të cilin ka katër fëmijë, Princin e Uellsit, Charles, Princeshën Anne, Dukën e Jorkut, Princin Andrew dhe Princin Edward të Wessex-it. Vetëm një monark në historinë mbi njëmijëvjeçare angleze ka mbretëruar më gjatë. Për shumicën e njerëzve të gjallë, nuk ka pasur shef tjetër shteti që nga 6 shkurti i vitit 1952.
Shënimi i Jubileut të Diamanttë, që do të përcillet me festa përgjatë muajve të ardhshëm, do të jetë i thjeshtë. Kjo për shkak të rrethanave të ardhjes së Mbretëreshës në fron, që kanë qenë sa të papritura, aq dhe tragjike. Elizabeta ishte nisur për në Kenia, së bashku me princin Filip, për të vizituar njërën nga kolonitë e atëhershme afrikane të Britanisë.
Babai i kishte dhënë lamtumirën në aeroport. Ajo ishte dita e fundit kur Elizabeta dhe kombi do ta shihnin Mbretin. Pak ditë më vonë, ai ndërroi jetë. Mbretëresha Elizabetë u kthye në Londër e ngrysur, e trishtuar, por e përkushtuar ndaj detyrave që do të merrte. Andaj, ajo e shënon këtë përvjetor në heshtje dhe kështu do të bëjë edhe këtë vit.
Të dielën, pavarësisht reshjeve të borës, Mbretëresha mori pjesë në një shërbim kishtar në Sandringhem. Të hënë, ajo përmbushi diçka tjetër - përkushtimin për detyrën e saj që ka mbetur e pandryshuar, përderisa pamja e Britanisë, klima sociale, fatet dhe vetë njerëzit kanë ndryshuar tërësisht.
Ashtu si shumica e monarkëve, edhe Mbretëresha Elizabetë ka parë rritje dhe rënie të popullaritetit. Ndryshimet e zakoneve sociale kanë vënë në dyshim e nganjëherë edhe kanë refuzuar institucionin e monarkisë.
Por, Mbretëresha ka ruajtur qetësinë e saj në këto peripeci, me dinjitet dhe autoritet.
Tani, në moshën 85-vjeçare, ajo është në pikën kur qëndrimi i saj personal dhe popullariteti janë në nivele shumë të larta. Ka një ndjesi në gjithë vendin, në mesin e njerëzve të të gjitha moshave, të të gjitha besimeve dhe grupeve etnike, se Mbretëresha i ka shërbyer mirë vendit.
Dhe, përderisa ajo nis vitin e 61-të të mbretërimit të saj, pritet janë që ky jubile të festohet me një bollëk, të paparë në Britani për më shumë se një shekull. Ngjarje të panumërta, përfshirë festat në rrugë, parakalimet e kalorësve, ndriçimin e fenerëve, pritet të ndodhin. Të gjitha janë shprehje e mirënjohjes nga ana e kombit. Një ditë e shurdhër si kjo 6 shkurtit nuk është e duhur për t’i përmbledhur arritjet e Mbretëreshës, por është ajo të cilën Mbretëresha e ka zgjedhur për t’i falënderuar të gjithë që e kanë mbështetur atë, familjen e saj dhe mirëqenien e kombit të saj.
Biografja dhe komentatorja Ingrid Seward thotë se sundimi i saj karakterizohet nga përkushtimi ndaj detyrës: “Ajo mund të jetë pjesëtarja e fundit e familjes së saj që tregon një përkushtim të tillë. Ajo e ka vënë detyrën para vetes, për t’i shërbyer popullit të saj”.
Sipas publicistit Charles Kidd, këto kanë qenë goditje të forta për mbretëreshën. “Mbretëreshës i është dashur të ballafaqohet me prishje martesash në familjen mbretërore. Ajo është edhe kreu i Kishës Anglikane dhe besoj se një gjë e tillë e ka prekur, por duhet ta pranojmë se edhe pjesëtarët e familjes mbretërore janë njerëz”.
Analistë të mbretërisë si Charles Kidd mendojnë se vëmendja që ajo i kushton protokollit mbretëror mund të ketë fshehur dhe zbehur rolin që ajo ka luajtur për modernizimin e monarkisë. Ndryshimi më revolucionar u shfaq gjatë vizitës së Mbretëreshës në Australi për takimin e Krerëve të Komonuelthit. Ajo e shfrytëzoi atë forum për të mbështetur ndryshime në ligjet e trashëgimisë së fronit, duke lejuar vajzën më të madhe të ishte e para në radhë për të hipur në fron, qoftë edhe para djalit, si dhe për të lejuar martesat me katolikë. Megjithatë, edhe sot e kësaj dite, katolikët nuk kanë të drejtën të hipin në fronin britanik. “Ajo është mbretëreshë me vizion. Ajo nuk do të bëhet pengesë e barazisë mes trashëgimtarëve, kur është fjala për radhën e trashëgimisë së fronit”. Sipas stilistëve, një ndër arsyet e popullaritetit të mbretëreshës është edhe sensi i saj i stilit. “Ajo zgjedh ngjyra shumë të bukura, pra ka një sens të guximshëm në zgjedhjen e ngjyrave. Mjafton të shohësh garderobën që zgjodhi për turneun në Australi, ku kishte plot veshje ngjyrë rozë, vjollcë të çelët, të kombinuara me kapele. Ishte një prezantim sensacional”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›