“Viti 2012, vit i rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë në BE”

Stefano Sannino takon ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto
Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Evropian, Stefano Sannino deklaroi dje gjatë takimit me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto se Shqipëria është në rrugë të mbarë për integrimin, për sa i përket zhvillimeve pozitive të kohëve të fundit.
Stefano Sanino, vlerësoi arritjet e deritanishme dhe theksoi se BE dëshiron të shohë Shqipërinë të ecë përpara drejt marrjes së statusit të vendit kandidat dhe fillimit të negociatave për anëtarësim.
Sipas tij, është shumë e rëndësishme që agjenda evropiane të jetë një prioritet kryesor kombëtar dhe të gjitha forcat politike duhet të angazhohen në këtë drejtim. Sanino rikonfirmoi edhe njëherë angazhimin e Komisionit Evropian për të ndihmuar Shqipërinë në drejtim të plotësimit të 12 Prioriteteve.
“Herën e fundit që isha në Shqipëri u hodhën hapa pozitivë si finalizimi i marrëveshjes me partitë politike për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore, ndryshimi i rregullores së Parlamentit dhe rishikimi i ligjeve me shumicë të cilësuar. Emërimi i Avokatit të Popullit në frymë shumë transparente, ishte një tjetër hap pozitiv”, u shpreh drejtori i Zgjerimit në Komisionin Evropian.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto tha se integrimi është një proces që duhet të qëndrojë mbi çdo axhendë politike dhe partiake.
Ministri Haxhinasto bëri një ekspoze të masave që janë ndërmarrë në drejtim të plotësimit të 12 Prioriteteve të përcaktuara nga BE, përfshi këtu fillimin e punës së komisionit parlamentar për përmirësimin e kodit elektoral, përmirësimin e procedurave parlamentare, miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar në Parlament, caktimin e Avokatit të Popullit, diskutimin në Komisionin e Integrimit të Planit të Veprimit për plotësimin e 12 prioriteteve etj.
“Integrimi është prioritet absolut i qeverisë shqiptare dhe ka nevojë për zbatimin e të gjithë rekomandimeve dhe detyrimeve të vendosura nga Komisioni Evropian”, u shpreh Haxhinasto.
Shefi i diplomacisë shqiptare vuri në dukje se “ky proces duhet të vazhdojë dhe të japë produkte konkrete, ndërsa kërkohet angazhimi i plotë dhe i pakushtëzuar i të gjithë faktorëve politikë”.