E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra/Kur çobani i dhive të Enverit merr megafonin e politikës

07-02-2012 / Nga Andi Dini

Në vitet e paharruara të kooperativave të lumtura e të humbura, disa çobanë të rinj nga Librazhdi, për këngën më të mirë në Festivalin Folklorik, Gjirokastër-1988, “Karafilat mbi qeleshe”, morën çmimin e madh “Pionierët e Enverit”. Kur drita shkrepte mbi malin e Sopotit, i shihje tek nxirrnin plot gëzim tufën e dhive nga vatha, pastaj  me vërshëllima  e thirrjet, hajt, ca ca, hajt, ca ca, i vinin përpara drejt korijeve. Teksa dhitë me brirë e pa brirë, u qepeshin degëve me gjethe të njoma, një nga pionierët, Taulanti i Ballajve, i njohur dhe si karafili i Librazhdit, ose më saktë karafil nga mendja, ia merrte me fyell e hidhej valle, rrotull e rrotull, për udhëheqesin e madh, xhaxhin apo baba Enverin. Herë pas here dëgjoheshin thirrjet, hajt ca ca, hajt ca ca! Zëri i tij i thekshëm pasi shkonte larg,  kthehej mbrapsht nga faqet e maleve. Shpesh karafili dëfrente edhe në lojën gazmore kala dibrançe ose ngjitej si harrush në lisat e gjatë.
Do të ndërroheshin stinët, do të iknin vite, do të vinin vite të tjerë  dhe ato dhi të bekuara u pakësuan dhimbshëm. Kooperativa mbeti me gisht në gojë, pa qumësht e pa bukë, pastaj u shthur e u shpërnda, ndërsa pushteti i lavdishëm i xhaxhit u shemb si kalaja dibrançe. Ndaj Taulanti braktisi dhitë dhe Librazhdin, krisi e fluturoi fill e në kryeqytet. Nga çoban u bë politikan në shërbim të bllokoviçëve të vazhdimësisë. Gjithë ajo përvojë shkathtësie në shkurre e livadhe e në trungje lisash e mbi të gjitha kënga “karafilat mbi qeleshe”, përcaktoi të ardhmen e tij. Nga i pari i bllokoviçëve, Edvin Rama, u ngarkua me detyra nga më të larmishmet, roje para portës, deputet-gërnjar-shpifarak e boksier,  pagator e shpërndarës pijesh e ushqimesh për protestat,, grevën e urisë e sidomos  për rebelimin e çmendur... Atje ky çoban luftarak paksa shkurtabiq me syze plazhi, vuri përpara, një tufë njerëzish, si dikur në mal, jo me thirrjet hajt ca, ca, por me megafonin e tmerrshëm: “sulmoni se ndryshe ju vrava!” Megjithatë siç thotë dhe vetë, bllokoviçët e rinj, nuk ia varin aq fort torbën. Ankohet i gjori se fajin e paska  Librazhdi..
Si tërë mbrapshtitë e mëparshme, edhe rebelimi i çmendur i 21 janarit, mori fund.  Megafoni i prishur humbi nëpër këmbët e sulmuesve, që u shpërndanë si dhi të  zgjebosura, pas shkatërrimeve, djegieve dhe goditjeve barbare kundër forcave të rendit, të cilat qëndruan si heronj në mbrojtje të institucionin kryesor të ekzekutivit, Njëkohësisht u mbrojtën edhe arritjet në udhën e integrimit drejt Europës. Kryetari Edvin, pasi u fsheh si gaxhoi prapa dritareve në kullat binjake, deri në mbarim të ditës dramatike 21 janar, tani  del nga vrima dhe dorëzon si cjepë për kurban Taulantin tonë, bashkë me dy kapedanët, Doshi e Bare. Po vetë kryekapedani? Mesa shihet kryetari Edvin, ideatori dhe shkaktari kryesor i viktimave të pafajshme në atë rebelim, të egër, po dredhon e po orvatet të fshihet prapa gishtit edhe prapa tre kapedanëve. Tashmë nga shumë vetë e kudo është pranuar fakti se Edvin Rama sulmoi institucionet për marrjen e pushtetit me dhunë. Tani  si njeri i shkretëtirës, sillet poshtë e lart, i tërbuar nga zilia, me një libër të gatuar nga kalemxhinjtë e tij. Edhe përfryrja prej gjelash deti apo krenia prej komunistësh e Taulantëve me shokë nuk pi më ujë, 
Kërkohet drejtësi me veprime të paanshme. Nëse kjo çështje e madhe mbetet e pazgjidhur nga prokuroria dhe institucionet e tjera të drejtësisë, atëhere ajo do të kalojë nga njeri tek tjetri si një lajm hidhur, me rrjedhoja negative për imazhin e rendit tonë demokratik në tërësi.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›