Elsa i propozon Berishës ardhjen e Plaçido Domingos në Shqipëri
Një projekt për ardhjen e Plaçido Domingos në Shqipëri dhe artistëve të njohur shqiptarë, që jetojnë nëpër botë, ka bërë që Kryeministri Sali Berisha, të takohet dhe të diskutojë me këngëtaren Elsa Lila. E shoqëruar edhe nga drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Publik Shqiptar, Petrit Beci këngëtarja ka qenë paraditen e djeshme në ambientet e Kryeministrisë. Mësohet se para disa ditësh Elsa Lila, bashkë me artistë të tjerë shqiptarë, si sopranoja Inva Mula, tenorët, Josif Gjipali, Saimir Pirgu, etj., janë takuar me artistin e njohur në botë Plaçido Domingo në Los Angelos, ku këtij të fundit i ka propozuar edhe një ftesë për në Shqipëri. Projekti për fshin edhe artistët e njohur shqiptarë nëpër botë. Ky aktivitet që mendohet të organizohet në Shqipëri është mbështetur edhe nga vetë Kryeministri, i cili ka pranuar të hapë “qesen” për artin. Artistja Elsa Lila e njohu Kryeministrin me takimin e saj të fundit në Los Angelos, të SHBA me artistin me famë botërore të muzikës lirike Domingo, ku i vuri në dukje interesin e madh të shprehur prej artistit për të ardhur në vendin tonë, si përkrahës dhe promovues i artistëve shqiptarë të muzikës, që përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë në skenat e mëdha të botës. Ndërkaq Berisha ka përgëzuar gjatë takimit këngëtaren Lila për arritjet e saj në fushën e këngës dhe për rolin në promovimin e artit shqiptar në botë. Berisha u shpreh se qeveria shqiptare mbështet dhe do të vazhdojë të mbështesë projektet dhe iniciativat për promovimin e artistëve shqiptarë dhe kulturës shqiptare në tërësi.