Elshani zëvendëson Shëngylin
Pas largimit të Skënder Shëngylit, Ballkani e ka emëruar trajnerin e ri. Bëhet fjalë për Zymer Elshanin, i cili deri dje ishte ndihmës trajner i ekipit therandas. Lajmin e ka bërë të ditur të martën drejtori i Ballkanit, Besim Kuçi, i cili nuk ka dashur të humbasë kohë.
“Tashmë kemi arritur marrëveshje me trajnerin Zymer Elshani, që ai ta kryejë rolin e shefit të shtabit profesional për stinorin pranveror. Ndërkaq, ndihmës i tij do të jetë Ardian Basha, i cili ishte pjesë e ekipit të trajnerëve edhe në kohën kur ekipi udhëhiqej nga Adil Vokrri dhe së fundmi, Skënder Shëngyli”, theksoi Kuçi.
Elshani, i cili e mori postin e ri të martën pasdite, e di se në Ballkan do ta presë një punë e vështirë, por ai beson se sezoni pranveror do të jetë pozitiv për ekipin Portokalli.
“E di se do ta kemi vështirë, pasi klubi gjendet në vështirësi në aspektin ekonomik, por unë e pranova me kënaqësi këtë post që m’u besua. Do të mundohem që t’i bind disa prej lojtarëve që të mbeten në klub, pra që ta kem brumin, në mënyrë që ta bëj një kombinim me lojtarë të rinj dhe të kemi paraqitje pozitive në pranverë”, tha Elshani.
Nga Ballkani së fundmi janë larguar Bujar Thaçi, Driton Luli, Fisnik Ramadani, Robert Gjeraj, Patrik Doçi e Flamur Kukaj. Ndërsa, trajneri i ri, Elshani, do të mundohet ta ndalë lojtarin kryesor Fitim Krusha, dhe disa të tjerë futbollistë të rëndësishëm.
Ballkani u rikthye në Superligë këtë sezon, pas dhjetë vjet garimi në Ligën e Parë të Kosovës. Ky ekip ishte njëri prej më të përforcuarve gjatë verës së vitit të kaluar, por përkundër kësaj (ekipi portokalli ndeshjet si vendës i zhvillon në Prizren pasi stadiumi në Therandë nuk i plotëson kushtet), therandasit e mbyllën sezonin vjeshtor në pozitën e parafundit, me 16 pikë të grumbulluara.