Olympia kërkon talentë në Kosovë

Klubi i njohur slloven, Union Olympia kohëve të fundit ia ka vërë syrin talentëve të basketbollit në Kosovës. Skauti i klubit nga Lubjana, Dragan Jovanoviç gjatë kësaj jave pritet të vjen në Kosovë.
Ndonëse në vizitë private, Jovanoviç pritet t’i vëzhgojë edhe disa talentë tjerë nëpër shkollat e basketbollit të Kosovës, për të shikuar mundësinë e identifikimit edhe të ndonjë talenti tjetër.
“Jovanoviç vjen si mysafir privat i anëtarit të bordit të Sigal Prishtinës, Ymer Stanovci, trajnerit Ibrahim Karabegu. Vizita e tij do të jetë një apo dyditore dhe këtë kohë ai do të mundohet ta shfrytëzojë për ta gjetur edhe ndonjë talentë tjetër kosovar nëpër disa shkolla të basketbollit në vendin tonë”, tha një burim i Express-it brenda Sigal Prishtinës.
Union Olympia zbaton një strategji, sipas të cilës në skuadër ofron shumë talentë, të cilët i zhvillon me kujdes. Sipas këtij burimi, Jovanoviç njihet si skaut i identifikimit të talentëve të gjeneratave nga 15 deri 17 vjeç.
“Jovanoviç do të mundohet ta gjejë ndonjë talent nga grupmoshat më të reja, përkatësisht të gjeneratave që kanë lindur në vitet 1994, 1995 dhe 1996. Por, nëse skuadra sllovene mendon të transferojë lojtarë nga Kosova, një gjë të tillë duhet ta bëjë me pëlqimin e palës kosovare, pra me ndonjë marrëveshje e jo ashtu siç bënin ekipet e huaja dikur kur i merrnin lojtarët pa e pyetur askënd, sikurse në bahçe”, përfundoi ai.
Kohë më parë, klubi slloven pat transferuar nga Kosova në Lubjanë këta talentë: Gëzim Morinën, Erjon Kastratin dhe talentin 17 vjeçar nga Kameruni të Sigal Prishtinës, Affia Ambadiang.
Duket se Union Olympian është ndarë e kënaqur me këto transferime që i kishte bërë nga Kosova, andaj ky klub po mendon të transferojë në Slloveni edhe talentë tjerë kosovarë.