2009, viti i sprovës
Pardje komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Oli Rehn, kaloi në shqyrtim përparimin e vendeve të Ballkanit drejt dyerve të Brukselit. Skanoi edhe vendin tonë. Një skanim i ftohtë, metodik, sikurse i ka hije politikanëve të racës. Dhe nuk mund të mohohet objektiviteti i Rehn, kur shprehet se "Shqipëria ka bërë progres në sektorët kyçë, siç është reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore, ndërsa përpjekjet për konsolidimin e shtetit ligjor janë intensifikuar". E ç’mund të thotë më shumë një emisar i rritjes së BE-së për një vend, që zbaton detyrat e shtëpisë? Po të ishte se do t’i kishim zbatuar keq, nuk do të na i kursente vërejtjet. Sikurse u vrenjt dhe u tregua tejet kritik me Maqedoninë, e cila do të qëndrojë në vend numëro, për shkak të situatës së paqartë politike atje. Serbia ka bërë hapa gjigante dhe shikohet me shumë dashamirësi në Bruksel. Mali i Zi gjithashtu ka zhvillime shumë premtuese, ndërsa Bosnja-Hercegovina lëngon në ndarjen politike të brendshme. Po Shqipëria? Me gjithë përparimet në shumë fusha, Rehn la të kuptohet se viti 2009 është viti i sprovës së madhe, kur u shpreh se “një nga sfidat kyçe që Shqipëria ka përpara, janë zgjedhjet e vitit 2009”. Në këtë vit ekonomia nuk është më protagonistja. Ajo nuk do të ketë më shkopin e dirigjentit në integrimin tonë. Viti 2009 përbën në radhë të parë një vit politik për ne dhe për mënyrën si na shohin të tjerët. Dhe pikërisht aleatët perëndimorë. Si zor që Brukseli të na japë statusin e vendit kandidat (të cilin deri tani në Ballkan e gëzojnë Kroacia dhe Maqedonia) përpara mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri, në verën apo vjeshtën e këtij viti. Këtë status që ende nuk na e ka dhënë, Bashkimi Evropian duket se do ta mbajë si asin nën mëngë, për të ndikuar mbi zgjedhjet tona. Kjo u provua kur u përfol këtë vjeshtë mundësia që Shqipëria të aplikonte për statusin e vendit kandidat. Ishin vetë politikanët e Brukselit që këshilluan qeveritarët tanë ta linin për momentin këtë aplikim. Dukej sikur ishte thjesht katrahura që shkaktoi kriza financiare. Në të vërtetë, BE duket se do të na e tundë përpara hundëve vitin e ardhshëm mundësinë për të fituar statusin, duke shpresuar të disiplinojë partitë shqiptare, që ta gjejnë fjalën për përgatitjet në zgjedhje. Si të thuash, politika sërish do ta ketë fjalën e fundit, kur vjen puna për t’iu afruar Brukselit. Ajo do na ketë në dorë të na afrojë, me një proces zgjedhor të pastër. Dhe po ajo mund të na degdisë shumë më keq se Maqedonia, po të kemi turbullira. Me gjithë protestën e këtyre ditëve të partive të vogla, që shohin të veniten gjasat e tyre për protagonizëm nga reforma zgjedhore, bashkëpunimi PD-PS për këtë reformë duhet konsideruar si shtylla dhe shpresa që zgjedhjet e 2009-s të zhvillohen pa teprime vrastare. Ky bashkëpunim është vlerësuar dhe nga vetë raporti i progresit të Shqipërisë, që grupi i ekspertëve të pavarur përgatiti për BE-në, raport i bërë publik tri ditë më parë. Një vlerësim i tillë vërteton që jemi në rrugë të mbarë. Veçse përgjegjësia rritet. Integrimi ynë do të varet tani nga vijimi i bashkëpunimit të dy partive kryesore. Përparimi teknik në bisedime dhe përafrimet me legjislacionin evropian në vitin zgjedhor 2009 do të dalin në plan të dytë. Do të ngelet realizimi i zgjedhjeve të ndershme dhe të lira. Ja përse përgatitjet për zgjedhje duhen parë që tani në funksion të integrimit, këtij procesi madhor për Shqipërinë. Nxitimi për të interpretuar raportin e BE-së sipas orekseve të të dyja barqeve më të mëdha politike (atij qeveritar në vlerësimet dhe atij opozitar në konstatimet për mungesat) është i dëmshëm. Ndoshta pozita mund të kishte guxuar (ende nuk jemi në vitin zgjedhor) dhe të përqendrohej tek puna e mbetur për të bërë, e cila është e stërmadhe. Nga ana tjetër, opozita rendi të tregojë vetëm anën tjetër të hënës, kritikat e raportit. Ky polarizim qëndrimesh na çon thjesht në greminë. Dy partitë më të mëdha bëjnë mirë “ta tregojnë hënën me të dyja faqet e saj”. Do të arrijnë ta bëjnë këtë? Të kenë kurajë për të thënë meritat, atëherë kur duhen thënë? Si zor. Megjithatë, bashkëpunimi në reformën zgjedhore do të vijojë dhe kartat e identitetit për të gjithë shqiptarët do të jenë gati në kohën e duhur, si kredoja më e madhe që pritet sot nga qeveria e rritjes së perceptimit antikorrupsion në vend (këto fjalë nuk janë ditirambe të një shqiptari, por konstatim i ftohtë i Rehn).