E Diel, 1 Nëntor 2026

Elvana Hana, në fokus të hetimeve, konflikti me grosistët

 Task-Forca përqendron hetimet tek konflikti me grosistët dhe blerja e automjeteve në ISKSH
TIRANË- Seksioni i Krimit Ekonomik pranë Prokurorisë së Tiranës ka përqendruar hetimet në verifikimin e konfliktit mes Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësordhe grosistëve të ilaçeve, si dhe tek blerja e makinave pa tender nga degët e ISKSH-së në rrethet Berat dhe Sarandë. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Task-Forcës së luftës kundër krimit ekonomik, të cilët shtuan se në lidhje me dyshimet e ngritura fillimisht për abuzimet në tenderin e materialeve kancelarike, prokuroria ka pushuar hetimin në mungesë të provave. Ndërkohë, sipas këtyre burimeve, hetimi është përqendruar në konfliktin mes ISKSH-së dhe grosistëve të farmacive, konflikt ky që u denoncua në media në pranverën e vitit 2006, ku u hodhën akuza për abuzimet në barnat e rimbursuara nga shteti. "Duke u mbështetur në disa shkrime të botuara në media, prokuroria e Tiranës ka filluar hetimet për institucionin e drejtuar nga drejtoresha e Përgjithshme e ISKSH-së, Elvana Hana. Përpjekja e kësaj të fundit për të vendosur pushtetin e saj mbi kompanitë e mëdha të importit të ilaçeve në vend, në lidhje me çmimet e 30 lloj barnave të importuara u bë publik në media, ku grosistët deklaronin çmime të shtrenjta për rimbursim nga shteti, në krahasim me çmimet e ulëta që deklaronin dhe paguanin doganë",-thuhet nga akuza. Arsyeja e këtyre akuzave të bërë publike në media, ka qenë sipas reformës së ndërmarrë në atë kohë në ISKSH nga drejtoresha Hana, ku grosistët e importit të ilaçeve, të cilët më parë kishin një marzh fitimi 18 për qind, ndërsa farmacistët e thjeshtë 33 për qind. Kurse pas reformës së ndërmarrë nga ISKSH-ja, grosistëve u lejohej një marzh fitimi 12 për qind, kurse farmacistëve 29 për qind. Kjo reformë e ISKSH-së, fillimisht shkaktoi revoltë tek grosistët dhe farmacistët, ku të gjithëve u kujtohet skena dhe kërcënimet e tyre për të lënë spitalet pa ilaçe. F.Vezaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›