Elvir Muriqi kundër Dhafir Smith më 31 janar

Elvir Muriqi ka mësuar emrin e kundërshtarit të radhës për duelin e planifikuar në "Paradise Theater" në Bronks të Nju Jorkut. 28-vjecari shqiptar që akoma lavdërohet nga mediat amerikane për paraqitjen e tij përballë Antonio Tarver do të ketë përballë amerikanin Dhafir Smith. 25-vjecari nga Filadelfia, Smith nuk është një boksier i kalibrit të Muriqit pasi në karrierën e tij prej 41 duelesh ka shënuar 19 fitore, 16 humbje dhe 6 barazime. Pavarësisht këtyre shifrave amerikani nuk është një kundërshtar për tu nëncmuar pasi në katër duelet e tij të fundit ka dalë i pamposhtur madje përballë boksierëve me karrierë të pasur në ringun profesionist. Këto fitore i kanë sjellë amerikanit Smith një ngjitje në shkallët e renditjes botërore të kategorisë gjysmë të rëndë të boksit profesionist dhe tani ai renditet i 55-ti (Elvir Muriqi aktualisht është i 16-ti).
Për "Kosova Kid" përballja e 31 janarit do të jetë e 39-ta në ringun profesionist, prej tyre ka 34 fitore (21 prej tyre me "knockout") dhe 4 humbjeve prej të cilave ajo e fundit kundër Antonio Tarver ishte mjaft e diskutueshme, ndërsa humbja e parë nga Dan Sheehan në vitin 2000 në fakt ishte një diskualifikim nga ana e gjyqtarëve për shkak të një goditjeje poshtë brezit, ndërkohë që Muriqi po udhëhiqte me pikë edhe në atë duel. Një fitore e ndaj Smith më 31 janar do të ngjiste akoma më tepër Muriqin në renditjen botërore dhe mundësia për t'u përballur me njërin nga kampionët e botës në kategorinë gjysmë të rëndë do të ishte më e madhe. Së fundmi ai kishte sfiduar të gjithë "yjet" si Zsolt Erdei, Chad Dawson, Roy Jones, Trinidad, Antonio Tarver duke kërkuar të ndeshet me cilin do prej tyre në një duel "WINNER TAKE ALL", që do të thotë fituesi i përballjes do të marrë paratë e duelit. "Nuk e bëj këtë për para. E bëj për shkak të historisë, famës dhe realizimit të qëllimit tim për t'u bërë kampion bote", kishte thënë më parë boksieri më i suksesshëm shqiptar në ringun profesionist.