Toti: “Dua të fitojmë 3-0 me Realin”

Për Francesko Totin, Reali i Madridit para së gjithash është sinonim i kënaqësisë. Më shumë në planin personal se në nivelin e klubeve. Roma më shumë ka humbur (4 herë) se sa ka fituar (një herë) kundër "merenguesve", megjithatë kundër Realit të Madridit, kapiteni i Romës ka shënuar 3 gola. Totin e lidhin shumë kujtime të bukura. "Jam i kënaqur që peshkuam Realin, - tha Toti për "Roma Channel", - respektoj skuadrën, që në nivelin ndërkombëtar është një nga më të fortat, por ne dimë të bëjmë mirë dhe cilido të ishte kundërshtari që do të takonim do të ishte e vështirë. Është një ndeshje që na jep një stimul më shumë, jo vetëm sepse do të gjejmë përballë shumë kampionë, por edhe sepse është një ndeshje e një të tetave në Ligën e Kampioneve. Kush fiton kalon dhe ne do të përpiqemi ta përballojmë garën me shpirtin më të mirë". Ndeshja e parë do të luhet në "Olimpiko", më 19 shkurt 2008. "Nëse do të shënonim tre gola në shtëpi, pa pësuar asnjë do të ishte shumë mirë për ne", - tha Toti. Francesko flet edhe për shortin e dy ekipeve të tjera italiane, Milanit dhe Interit, që do të përballen respektivisht me Arsenalin dhe Liverpulin: "Për skuadrat italiane nuk ishte një short i mirë, por nësë dëshiron të fitosh Ligën e Kampioneve, në fund të fundit duhet të takosh të gjithë". Trajneri i Romës, Luciano Spaleti, pohoi se ai personalisht preferonte të ndeshej me Porton ose Seviljen. "Kemi shumë besim tre mundësitë tona, do të luajmë me kokën lart edhe kundër Realit"
NDESHJET
19.02.2008 / 05.03.2008
Shalke 04-Porto
Roma-Real Madrid
Olimpiakos-Celsi
Liverpul-Inter
20.02.2008 / 04.03.2008
Sëlltik-Barcelona
Lion-Mancester Junajtid
Arsenal-Milan
Fenerbace-Sevilja