Elvira Diamanti, emërohet drejtoreshë e AQSHF-se
Në datën 30 Dhjetor 2009 është emëruar nga Ministri i TKRS z. Ferdinand Xhaferri, drejtoresha e re e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Znj. Elvira Diamanti. Diamanti është ngarkuar me postin e drejtoreshës së AQSHF-ës pas largimit të Artan Minarollit pasi ai është emëruar në krye të Qendrës Kombëtare Kinematografike. Elvira Diamanti lindi më 30 Nëntor të vitit 1962 në qytetin e Vlorës. Ka filluar karrierën e saj artistike me rolin Teutës, në filmin “Radiostacioni”, 1979, me regji të Rikard Larjes. Më pas do të vazhdonin shumë role në kinematografi dhe në teatër, por roli që e bëri të njohur është ai i Marigosë në filmin “Përrallë nga e kaluara” në vitin 1987, rol për të cilin do të vlerësohej me çmimin e III-të në Festivalin e VII-të të Filmit Shqiptar, në vitin 1987. Në vitin 1988 diplomohet në Institutin e Lartë të Arteve. Ka punuar deri në vitin 2002 në Teatrin Kombëtar dhe që prej këtij viti ishte Drejtoreshë e Teatrit Kombëtar të Fëmijëve (ish Teatri i Kukullave) deri në vitin 2008. Më pas punoi si Shefe Protokolli pranë Presidencës së Republikës.
Filmografia:
Filma:
Ne dhe Lenini - (2008)
Dasma e Sakos - (1998)
Një djalë e një vajzë - (1990)
Muri i gjallë - (1989)
Përrallë nga e kaluara - (1987)
Të shoh në sy - (1984) televiziv
Dasma e shtyrë - (1984)
Shokët - (1982)
Në prag të lirisë - (1981)
Shoqja nga fshati - (1980)
Liri a vdekje - (1979)
Radiostacioni - (1979)
Teatër:
Kush e solli Doruntinën (1989)
Mësuesi i Letërsisë
Nata me hënë
Shi në plazh (1982)
Shtëpia e Bernarda Albës
Vdekja e Dantonit
5 Janar 2010