E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova kundërshton Gjykatat në Veri: Janë struktura të paligjshme

Blerina Olldashi
Vendimi i Beogradit për emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë për gjykatën në veri të Mitrovicës është cilësuar nga autoritetet në Prishtinë si ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës. Gjykata në veri të Mitrovicës, sipas Parlamentit të Serbisë, do të jetë përgjegjëse për gjithë territorin e Kosovës. Gjykatës e prokurorë serbë, të cilët pretendojnë të funksionojnë si strukturë paralele, kanë dhënë betimin para Këshillit Gjyqësor të Serbisë në ditën e fundit të dhjetorit. Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Nekibe Kelmendi, thotë se ky vendim është ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës. Kjo gjykatë, sipas saj, nuk mund të funksionojë. “Ato janë gjykata ilegale. Çdo vendim që merret nga ato gjykata, nuk mund të zbatohet në Kosovë. E konsideroj ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës”, shprehet Kelmendi. Ministrja u bëri thirrje autoriteteve ndërkombëtare që të reagojnë, në mënyrë që të mos cenohet funksionimi i gjyqësorit të Republikës së Kosovës. “Duhet të reagojë edhe bashkësia ndërkombëtare dhe natyrisht nuk do të lejojmë që ato institucione gjyqësore të funksionojnë si institucione paralele”, thekson Kelmendi. Ndaj vendimit të Serbisë për gjykatat në veri ka reaguar edhe Zyra e Presidentit të Kosovës. Zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, thotë se vendimi i Beogradit është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe këto organe në Kosovë do të cilësohen si të paligjshme dhe paralele. “Ato janë struktura të paligjshme, struktura paralele, të cilat, për fat të keq, i mban dhe i nxit Beogradi zyrtar, për të krijuar iluzion te një pjesë e qytetarëve serbë të Kosovës, se këtu ende sundon Serbia. Megjithatë, këto veprime të Beogradit zyrtar janë veprime që shkojnë në vazhdën e politikës të përhershme të Beogradit ndaj Kosovës, por, esencialisht, nuk do të mund të ndikojnë”, thotë Beqiri. Veprimet e Beogradit, sipas Beqirit, nuk do të kenë sukses dhe institucionet e Kosovës nuk do të rrinë pasive në tendencat që gjykata të tilla paralele të shtrihen edhe në pjesë të tjera të Kosovës. Në anën tjetër, Policia e Kosovës shprehet e gatshme që të ndërhyjë në ruajtjen e rendit. Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, thotë se, nëse autoritetet përgjegjëse marrin vendime, policia do të reagojë që të ruajë ligjshmërinë në vend. “Policia e Kosovës zbaton Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e aplikueshme në Kosovë. Varësisht vendimeve që vijnë nga organet e drejtësisë, policia është e gatshme t’i zbatojë. Pra, për çdo gjë të kundërligjshme, Policia e Kosovës është e gatshme të luftojë dhe me kërkesë dhe vendim të organeve të drejtësisë, policia i zbaton këto vendime”, thekson Kelani. Pas shpalljes së pavarësisë të Kosovës në shkurt të vitit 2008, kjo gjykatë fillimisht u pushtua nga punonjësit serbë atje. Më pas, autoritetet e UNMIK-ut ndërhynë me forcë për të rimarrë nën kontroll objektin. Si pasojë, një polic ukrainas i Kombeve të Bashkuara pati humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë qenë plagosur.
Kjo gjykatë ishte vënë nën mandatin e EULEX-it, si mision që ka përgjegjësi në polici, gjykata dhe dogana. Sidoqoftë, atje punon një numër i vogël gjykatësish e prokurorësh ndërkombëtarë, ndërsa ata vendorë nuk kanë arritur të kthehen në punë. Kthimi në funksion i gjykatës në veri, si dhe vendosja e ligjshmërisë në atë pjesë, mbeten sfidë si për institucionet vendore, ashtu edhe për ato ndërkombëtare, marrë parasysh shtrirjen që kanë atje strukturat paralele serbe, që mbështeten nga Beogradi zyrtar.

Hagë
Serbia padit Kroacinë për gjenocid

Serbia dorëzoi dje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë padinë kundër Kroacisë për gjenocid ndaj serbëve nga viti 1991 deri në vitin 1995. Qeveria e Serbisë ka thënë se Serbia ka vendosur të ndërmarrë këtë hap, sepse Kroacia para 10 viteve kishte paditur Serbinë për gjenocid. Padia e Serbisë përmban hollësi, siç pohon Beogradi, për krimet ndaj serbëve në periudhën 1991 – 1995, për krimet e Shtetit të Pavarur të Kroacisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kroacia nga ana e saj bën të ditur se është përgatitur për këtë proces.

5 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›