E Diel, 1 Nëntor 2026

Roza Anagnosti rikthehet në Teatrin Kombëtar me “Elektrën”

Izaura Ndoj

Sezoni i ri artistik në Teatrin Kombëtar do të çelet me vepra të mëdha që i takojnë dramaturgjisë botërore. Nga ky institucion është bërë e ditur se dy premierat që bordi ka miratuar janë veprat “Elektra” dhe “Hamleti”. E para që do ta çelë sezonin në muajin shkurt është “Elektra” e Sofokliut, e cila do të ngjitet në skenë me regji të Adonis Filipit. Kjo vepër do të ngjis në skenë dy aktore të mëdha siç janë Roza Anagnosti dhe Luiza Xhuvani. Në rolin e Elektrës do të vijë aktorja Luiza Xhuvani, e cila do të lërë për pak kohë mënjanë angazhimet politike për t‘iu kushtuar dashurisë së saj të madhe, aktrimit. Në këtë tragjedi të Sofokliut do të rikthehet në skenën e teatrit aktorja, ikonë e skenës dhe filmit shqiptar, Roza Anagnosti. Ajo do të përballet me publikun duke veshur petkun e nënës së Elektrës, Klitemnestrës. Pjesëmarrja e aktores së njohur, ia shton vlerat dhe e bën më emocionale për publikun shqiptar. Roza Anagnosti është një ndër aktoret e cila mbetet pa dyshim një prej emrave dhe artistëve të merituar, e cila është vlerësuar për një kontribut të çmuar në skenën dhe filmin shqiptar, duke u renditur përkrah emrave më të njohur. Rikthimi i saj në skenë vjen pas një mungese të gjatë, dhe do të jetë pikërisht kjo vepër, e cila do të ngjitet në skenë nga regjisori i talentuar Adonis Filipi, që do të rikthejë në skenë aktoren Anagnosti. Në role të tjera, (ende në proces përzgjedhjeje nga regjisori) mendohet aktori Laert Vasili, për zbërthimin e personazhit të Orestit ndoshta sepse e ka interpretuar më parë në Greqi ku jeton e punon prej vitesh, dhe shumë aktore të reja të Teatrit Kombëtar, të cilat do të interpretojnë vajtojcat e korit të Sofokliut. Kalendari artistik për vitin 2010 për TK do të vijojë dhe me të tjera vepra të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Tragjedia “Elektra” është një pjesë që ka njohur sukses jo vetëm në skenën shqiptare, por edhe në atë të huaj. Ajo ka qenë pjesëmarrëse në festivale të rëndësishme si brenda dhe jashtë vendit dhe është përcjellë me duartrokitjet e publikut. Do të jetë pikërisht regjisor i njohur Adonins Filipi, i cili me këtë vepër veç aktores Anagnosti do të ngjisë dhe të tjerë emra aktorësh të talentuar të skenës shqiptare.
Çfarë ndodh tek “Elektra”
Subjekti i tragjedisë “Elektra” është marrë nga cikli mitologjik mbi Atridët. Ngjarjet e tragjedisë shtjellohen në situata të ngjashme të "Koeforeve" të Esikilit: Në të dyja veprat Oresti rritet e bëhet burrë në dhe të huaj. Ai është vazhdimisht i shoqëruar nga miku i tij besnik, Piladi. Tek të dy tragjeditë Oresti vë në provë të motrën duke iu shfaqur në fillim si i huaj, pastaj ndodh çasti i rinjohjes. Por secili nga këta dy poetë të mëdhenj ka vënë në vepër vulën e personalitetit të tij si artist. Ndërsa te Eskili rolin kryesor e ka Oresti, Sofokliu vë motrën e tij, Elektrën, në qendër të vëmendjes. Oresti nuk është veç krahu, shpirti është e motra. Të dy janë të vendosur dhe s’kanë asnjë luhatje në çastin kur ngre dorën dhe vrasin nënën e tyre, Klitemnestrën. Elektra është shumë e afërt me Antigonën për nga forca e vullnetit, nga vendosmëria për të kryer atë detyre që ajo e quan të shenjtë.

5 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›