E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët nxitojnë të largohen për në qendrat e banimit

05/01/2010  Dalin nga porti i Durrësit dhe dogana e Kapshticës mbi 10 mijë shtetas shqiptarë
Pas përfundimit disaditor të pushimeve të fundvitit, emigrantët shqiptarë kanë nisur kthimin në vendet ku ata jetojnë e punojnë. Nga pika e kalimit kufitar në portin e Durrësit një natë më parë kanë lënë “vendin” më shumë se 4500-4700 emigrantë si dhe rreth 1200 automjete.
Largimi
Shtatë tragete janë vënë në shërbimin e tyre që ditën e tretë të fillimvitit duke shmangur çdo lloj frike për kaos në pritje të linjave. Sipas burimeve kufitare të portit të Durrësit bëhet e ditur se nuk ka pasur radhë të gjata, pasi sportelet kanë punuar me kapacitete të plota dhe se kontrolli është kryer në kohë dhe me cilësinë e pritshme. Radhët e gjata tek sportelet e paraqitjes së dokumentit të identifikimit dhe të bagazheve kanë qenë të përkohshme ngase punonjësit e trajnuar për veprime të tilla kanë shpejtuar për të shmangur bezdinë dhe radhët e gjata.
Në 24 orët e fundit kanë lënë portin e Durrësit mendohet afro 9000 emigrantë dhe afro 2000 automjete të llojeve të ndryshme. Sipas autoriteteve të policisë kufitare, lëvizja më e madhe e emigrantëve në drejtim të Italisë pritet të jetë gjatë fundjavës së 9-11 janar 2010. Linja më e ngarkuar në ditë të tilla është ajo Durrës- Bari që mban edhe fluksin më të madh të udhëtarëve në lundrim për në Itali, ndërsa deri në mbyllje të sezonit edhe linjat e Triestes dhe të Ankonas do të kenë çdo ditë lundrime. Për të përballur fluksin që mendohet se kapërcen të 150 mijë emigrantët që kanë kaluar festimet në vendlindje, kompanitë kanë vendosur në linjat e mësipërme edhe tragete të marra me qira për 10 ditë që mendohet se është piku kërkesës.
Ndërkohë në Kakavijë mbi 4500 emigrantë kanë lënë pas tokën shqiptare deri në orën 17.00 të ditës së hënë. Dita e djeshme ka shënuar një fluks tepër të konsiderueshëm të largimit të emigrantëve drejt Greqisë, pas festimit në atdhe të festave të fundvitit, e lidhur kjo edhe me fillimin e punës dhe sistemit arsimor. Kështu, mësohet se pala shqiptare në këtë vendkalim po punon me 9 sportele, ndërsa ajo greke me 6 sportele. Burime zyrtare pranë Drejtorisë rajonale të Kufirit dhe Migracionit kanë pohuar se edhe takimet me drejtues të pikës greke janë të vazhdueshme për të rakorduar në këtë mënyrë lëvizjet, për të bërë të mundur një mbarëvajtje të procesit të largimit të emigrantëve. Nga ana tjetër, si në çdo sezon lëvizjeje, një autoambulancë e spitalit civil rajonal “Omer Nishani” e pajisur me staf të specializuar mjekësor qëndron në Kakavijë për të ndërhyrë në ndonjë rast emergjent që mund të krijohet. Në prefekturën e qarkut të Gjirokastrës, në kufirin Shqipëri-Greqi, funksionojnë me kohë të plotë, dy pika vendkalime kufitare, ajo e Kakavijës, që ndodhet rreth 30 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, në drejtim të jugut dhe “Tre Urat”, që ndodhet rreth 22 kilometra larg qytetit të Përmetit, në drejtim të perëndimit. Ndërsa, pikat kufitare e Sopikut, që ndodhet rreth 50 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, në komunën e Pogonit, funksionon vetëm për këmbësorët.
Ndërsa në Sarandë në pikën e kalimit kufitar të Qafëbotës, si dhe terminali i udhëtarëve në portin detar të Sarandës, përballojnë çdo ditë fluks në rritje të emigrantëve dhe studentëve, që pas festave të fundvitit, kthehen në vendet e tyre të punës. Burime zyrtare nga vendkalimi kufitar i Qafëbotës, rreth 30 kilometra larg qytetit të Sarandës, pohuan se gjatë ditës së sotme kanë dalë përmes kësaj pike kufitare mbi 800 emigrantë, si dhe 200 automjeteve, ndërsa me linjën detare Sarandë-Kurfuz (Greqi) janë larguar mbi 150 emigrantë. “Pavarësisht fluksit të emigrantëve shqiptare, kalimi nga kjo pikë kufitare u bë në mungesë të radhëve të gjata, kjo fal masave bashkërendimit të punës që kanë ndërmarrë autoritetet kufitare në të dyja anët e kufirit”, shprehen burimet zyrtare, duke shtuar se, në kapitanerinë e portit funksionimi i linjës Sarandë-Korfuz e anasjelltas nuk është ndërprerë për asnjë ditë.
Rëndë një vajzë 25 vjeç
Aksidenti, dëmtohet familja emigrantëve dhe tre të afërm
LIBRAZHD- Del nga rruga automjeti dhe rrokulliset 30 metra duke mbetur të plagosur 6 persona, tre nga të cilët pjesë e një familjeje. Të 6 personat janë nisur nga familjet e tyre në Librazhd drejt portit të Durrësit nga ku do të niseshin për në Itali, por ngricat kanë prishur të gjitha planet e tyre. Rreth orës 6 të mëngjesit në vendin e quajtur Babje rreth 5 km larg qytetit të Librazhdit një fuoristradë me targa italiane BC 860 JJ ka rrëshqitur në rrugën e mbuluar me akull dhe më pas është përplasur me muret mbrojtëse të saj duke u rrokullisur për 30 metra në anë të lumit Shkumbin. Kanë shpëtuar mrekullisht personat që ndodheshin në mjet duke mbetur e dëmtuar rëndë vetëm një prej tyre. Të dëmtuarit janë transportuar në spitalin lokal të Librazhdit ku u është dhënë ndihma e shpejtë. Burimet spitalore konfirmuan se në repartin e urgjencës janë paraqitur të dëmtuar shtetasit Ylli Belgo 46 vjeç, Olgerta Lila 18 vjeçe, Diana Elli 38 vjeçe, Ylvi Salla 10 vjeç, Sokrat Salla 30 vjeç dhe Naze Salla 25 vjeç. Nga të gjithë shtetasit e mbetur të dëmtuar në këtë aksident më e rëndë gjendja sipas mjekëve paraqitet për 25-vjeçaren Naze Salla, e cila është dërguar në spitalin kirurgjik të Elbasanit për t’ju nënshtruar një ndërhyrjeje më të specializuar. Të aksidentuarit të afërm me njëri-tjetrin ishin duke udhëtuar drejt Italisë, pasi po ktheheshin nga familjet e tyre ku kishin qenë me rastin e festave të fund vitit. Ndërkaq policia ka dokumentuar ngjarjen dhe po heton për të zbuluar shkaqet e këtij aksidenti të rëndë. Sipas të dhënave të para, dyshohet se mjeti ka rrëshqitur për shkak të ngricave në rrugë pas reshjeve të shumta të ditëve të fundit dhe uljes së menjëhershme të temperaturave. Gjithashtu pritet të verifikohet edhe shpejtësia e mjetit, por tani për tani rrëshqitja e mjetit mendohet të jetë shkaktuar nga akulli në rrugë. L. Lleshi
Thyhet urdhri i qeverisë për punë
Gjendja civile pushim, qindra emigrantë në pritje
FIER- Radhë të gjata tek zyrat e aplikimit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. Këtë herë jo për mungesë të linjës së internetit ose problemeve të tjera teknike, por thjesht se në këto zyra nuk kishin ardhur fare operatorët dhe shumica e aplikantëve kryesisht emigrantë pritën me orë të tëra me shpresë se operatorët do të vinin. Por pavarësisht urdhrit të qeverisë për datën 4 janar si datë pune për operatorët e zyrave të aplikimit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike që duhej të vinin në punë për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve, këta të fundit preferuan të bënin sërish një ditë pushimi. Dhjetëra emigrantë kanë pritur më kot para dyerve me shpresën se do të përfundonin aplikimin dhe operatorët do të ktheheshin, por këta dhe punonjësit e zyrave të gjendjeve civile me gjithë kërkesat e larta këto ditë preferuan të pushonin. Në këtë mënyrë emigrantët janë kthyer mbrapsht, teksa iu sos durimi. Në dyert e operatorëve nuk ishte shënuar asnjë njoftim për ditët e punës ose pushimit. Pjesa më e madhe e emigrantëve janë shprehur të indinjuar për këtë shërbim të ulët dhe që injoron pritjet e qindra emigrantëve.
“Kam ardhur nga Italia. Mësuam se data 4 janar do të ishte datë pune për operatorët e këtyre zyrave. Data 4 është ditë pune, në vendet evropiane puna ka nisur herët, këtu tek ne pushohet një javë”,-ka thënë Ilir Manaj. “Unë kam lënë punën në fabrikë dhe jam kthyer në Shqipëri vetëm për dokumentet”. Janë të shumtë emigrantët që shprehen se kanë ardhur në vendin e tyre vetëm me qëllimin e vetëm për të kryer aplikimin për kartat e identitetit ose pasaportave dhe për shkak të radhëve të gjata të ditëve më parë, i kanë lënë ato pas festave duke e ditur se data 4 janar do të ishte ditë pune. Shumë prej tyre duhet të presin të nesërmen për të kryer aplikimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›