Shkumbini rrezikon urën, gërryhet argjinatura
05/01/2010 Gati në shembje njëra nga këmbët
ELBASAN-Prurjet e shumta të lumit Shkumbin janë kthyer në rrezikun më të madh për tokat përgjatë rrjedhës së lumit dhe sidomos për veprat e artit. Një nga urat më të mëdha e ndërtuar pak vjet më parë pjesë e segmentit Elbasan-Rrogozhinë rrezikon të shembet nga gërryerjet. Ura e ndodhur në baipasin e Peqinit ka pësuar gërryerje në argjinaturën anësore dhe në një nga këmbët e saj. Reshjet e shumta kanë bërë që prurjet e ujit të jenë tepër të mëdha e të përplasen në argjinaturën që mbron urën duke e gërryer atë plotësisht dhe çdo ditë e më shumë këmbët janë nën presionin e madh të prurjeve gjatë këtyre ditëve. Lidhur me gërryerjet nënprefektura Peqin ka lajmëruar Elbasanit dhe është duke u hartuar një raport emergjent për nivelin ndërhyrjes. Specialistët thonë se në rast se nuk merren masa nëpërmjet një investimi mbrojtës në argjinaturë dhe riparim të këmbëve atëherë ura do të shembet. Shembja e saj bllokon segmentin më të rëndësishëm që lidhet me Durrësin dhe që i shërben mjaft eksport-importit nëpërmjet portit të Durrësit. Në rast të bllokimit të këtij segmenti e gjithë ekonomia vendase do të paralizohej. Gjithashtu nëpërmjet portit të Durrësit furnizohet edhe Maqedonia.