Rrëshqitjet, bllokohet segmenti hekurudhor
05/01/2010 Ndërhyjnë mjetet e rënda
LIBRAZHD-Bllokohet segmenti hekurudhor nga shkëputja e një masivi dheu në Librazhd. Ngjarja ndodhi rreth orës 05.00 të mëngjesit të së hënës kur një masiv i madh dheu ka rrëshqitur duke rënë mbi segmentin hekurudhor në afërsi të fshatit Hotolisht në rrethin e Librazhdit. Segmenti hekurudhor që ecën paralelisht me rrugën nacionale ka qenë për 4 orë i bllokuar. Mjete të mirëmbajtjes së hekurudhës dhe të nënprefekturës Librazhd kanë mbërritur në vendin e shembjeve. Pasi është larguar sasia e madhe e dheut brenda katër orëve segmenti hekurudhor i bllokuar është bërë i kalueshëm. E kontaktuar nënprefektja e Librazhdit, Mimoza Qyra, tha se situata është normalizuar brenda disa orës. Ajo theksoi se brenda një kohe të shkurtër janë dërguar në vendin e ngjarjes mjetet e rënda dhe një fadromë. Brenda një kohe rekord punonjësit e mirëmbajtjes kanë larguar dheun dhe hekurudha është bërë e kalueshme brenda pak orëve. Mësohet se për arsye sigurie nuk ka qarkulluar linja e parë e trenit drejt Pogradecit. Më pas situata është normalizuar. Sipas Qyrës, situata është nën kontroll në të gjitha segmentet rurale e hekurudhore. Mjetet janë në gatishmëri për çdo emergjencë për shkak se Librazhdi është mjaft i prekur nga bora dhe rrëshqitjet.