Elvis Kraja pranë Vllaznisë, Kaçi mohon kalimin
Autori i Lajmit: RedaksiaShkodër - Elvis Kraja është shumë pranë nënshkrimit me Vllazninë. Shkodrani 26-vjeçar luajti pjesën e parë të sezonit me Skënderbeun (15 ndeshje), por tashmë ka prishur me mirëkuptim marrëveshjen dhe është lojtar i lirë. Ish-lojtari i Besës, por dhe me një të kaluar në Greqi (Iraklis i Selanikut) dhe Ukrainë (Metalurg Zakarpatia), ka qenë i përjashtuar nga klubi i Vllaznisë (së bashku edhe me Franc Ahin) gjatë sezonit 2007-2008 me motivacionin për paraqitje të dobëta. Ndeshja e parë e Vllaznisë për pjesën e dytë të sezonit 2009-2010 është ajo kundër Shkumbinit në Peqin. Në fazën e parë Vllaznia fitoi 2-0 në “Loro Boriçi” me dy gola të realizuar nga Bekim Bala. Ndërsa mesfushori i Apolonisë, Albert Kaçi, ka hedhur poshtë thashethemet për një kalim të mundshëm të lojtarit tek skuadra e Vllaznisë. Në një prononcim të tij për mediat televizive shqiptare, lojtari ka mohuar se një lëvizje e tij nga Apolonia është e mundshme. “Nuk ka asnjë mundësi që unë ta prish kontratën me Apoloninë në këto momente. Diçka e tillë besoj se nuk ka mundësi të realizohet. Nuk di se çfarë mund të ndodhi pas përfundimit të kampionatit, por aktualisht unë jam pjesë e Apolonisë”, - theksoi në prononcimin e tij Albert Kaçi.
Ky lajm është publikuar: 05/01/2010