E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pandev, zyrtarisht zikaltër, Riberi e refuzon

Autori i Lajmit: RedaksiaMilano - Ishte e ditur prej disa ditë më parë, por është bërë zyrtare të hënën: Goran Pandev ka firmosur kontratën që do ta lidhë me Interin deri në vitin 2014, duke u bërë zyrtarisht lojtar i ekipit zikaltër. Maqedonasi ka kaluar me sukses vizitat mjekësore, ndërsa është vënë menjëherë në dispozicion të trajnerit Murinjo, për të zhvilluar stërvitjen e parë me shokët e rinj të skuadrës. Pas finalizimit të marrëveshjes me nerazzurrët, Pandev ka zhvilluar stërvitjen e parë në qendrën sportive Appiano Gentile, ku është njohur me bashkëlojtarët e tij të rinj. Trajneri Jose Murinjo mund të llogarisë në reprezentuesin maqedonas, madje qysh në ndeshjen e radhës, të mërkurën kundër Kievos. Interi ka njoftuar për transferimin e 26-vjeçarit, i cili kishte fituar betejën ligjore me Lazion dhe ishte i lirë të braktisë klubin nga kryeqyteti italian. Duke parë edhe mungesën e Etoo, i cili është i impenjuar në Kupën e Afrikës, sulmuesi 26-vjeçar do të jetë i gatshëm që në përballjen e së mërkurës kundër Kievos. Pandev mbërriti te Interi në moshën 17-vjeçare, kur nuk njihte as gjuhën italiane, duke fituar kampionate të moshave me Interin, për tu huazuar më pas te Spezia dhe Ankona, e transferuar te Lacio (2004-2009), ku në 159 ndeshje shënoi 48 gola. Lojtari i Kombëtares maqedonase (52 ndeshje, 22 gola) në intervistën e tij të parë për faqen zyrtare të klubit të Interit tha: “Jam me të vërtetë i kënaqur. Ëndrra ime ka qenë gjithmonë të qëndroj te Interi, por gjërat shkuan ndryshe. Jam rritur, jam bërë burrë, një lojtar i vërtetë dhe sot jam i kënaqur të jem këtu. Shpresoj të rifilloj e të fitoj akoma shumë me Interin. "Viti 2010 nisi shumë mirë. Tani kemi nevojë të fitojmë, të marrim kampionatin dhe të shkojmë mirë në Ligën e Kampioneve, që të jemi të gjithë të kënaqur. Jam në dispozicion të trajnerit, do të jetë ai që do të vendosë. Unë jam gati dhe nuk kam asnjë problem. Është e rëndësishme të jap kontributin tim te skuadra, i njoh shokët e rinj të ekipit dhe janë të gjithë djem të zotë. Interi është një skuadër e madhe, një grup i madh, kjo është arsyeja që është duke fituar shumë”. Maqedonasi, së bashku me Luka Tonin te Roma, janë dy lëvizjet e para zyrtare të skuadrave italiane në merkaton e janarit. Ranieri në një prononcim për media ka thënë se Toni është në një formë shumë të mirë dhe do të jetë përforcim i madh për skuadrën e tij. “Pas ndeshjes kontrolluese me skuadrën e kategorisë inferiore, Cisko Roma, (3:0) mund të them se Toni tashmë është në rrugën e duhur për tu përshtatur në vizionet e mia për skuadrën. Ai më ka impresionuar. Bashkëlojtarët e kanë ushqyer me topa, ashtu siç dëshiron ai dhe u pa qartë se është shumë i uritur për të luajtur. Mendoj se gjërat në periudhën e ardhshme përfundimisht do të ndryshohen rreth nesh dhe atë vetëm në aspektin pozitiv”,- ka pohuar Ranieri. Ndërkaq, për Interin bëhet më e vështirë marrëveshja në lidhje me serbin Kolarov, duke parë se Lacio kërkon 20 milionë euro dhe për më tepër, presidenti Lotito e ka konsideruar mbrojtësin jashtë merkatos.

Riberi refuzon Interin

Futbollisti i Bajernit të Munihut, Frank Riberi, ka refuzuar ofertën për të kaluar tek Interi, me arsyetimin e vetëm se dëshira e tij është të luajë tek Reali i Madridit, bën të ditur e përditshmja italiane “Corriere dello Sport”. Sipas kësaj gazete, pronari i Interit, Masimo Morati, nëpërmjet telefonit e ka ftuar Riberinë që ti bashkohet skuadrës zikaltër, por nuk ka arritur ta bindë për të ndryshuar mendje. “Dëshiroj të shkoj te Reali, nuk më interesojnë klubet e tjera”, ka qenë përgjigjja e Riberisë. Krahas Realit dhe Interit, për shërbimet e Riberisë ka shprehur interesim edhe Çelsi, kurse Bajerni e ka caktuar shifrën e shitjes së tij prej 60 milionë euro. “Corriere dello Sport” bën të ditur se pas kësaj përgjigjeje negative të Riberisë, Interi do të mundohet të angazhojë futbollistin e Liverpulit, Stiven Xherard. Riberi u bashkua me Bajernin në vitin 2007 dhe deri më tani ka luajtur 89 ndeshje për skuadrën bavareze, duke shënuar 34 gola.
Ky lajm është publikuar: 05/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›