E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë, Topi zbulon emrat

Vetëm një ditë pas miratimit në Kuvend të rregullores së re, Presidenti Bamir Topi ka dekretuar emrat e gjashtë kandidatëve për anëtarë të rinj në Gjykatën e Lartë. 

ADI SHKEMBI

Zyra e shtypit e kreut të shtetit bëri të ditur dje në mesditë, se Topi ka hedhur firmën mbi gjashtë dekretet, duke i dhënë fund në këtë mënyrë të gjitha hamendësimeve për emrat që do të zgjidheshin pas publikimit të listës me 105 aplikantë për këtë gjykatë.
Emrat
Në dekretet e kreut të shtetit thuhet se, "Në mbështetje të nenit 136, pika 1, të Kushtetutës, dekretoj: Zoti Aleksandër Muskaj, emërohet anëtar i Gjykatës së Lartë. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë". Muskaj është gjyqtar prej 17 vjetësh, ish-anëtar i KLD-së, aktualisht gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka marrë titullin "Master" në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Pesë dekretet e tjerë të kreut të shtetit janë Majlinda Andrea (gjyqtare prej gjashtëmbëdhjetë vjetësh në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës); Guxim Zenelaj (gjyqtar për katër vjet, ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë për trembëdhjetë vjet, ish-avokat i Përgjithshëm i Shtetit, aktualisht anëtar i KLD-së); Evelina Qirjako (juriste prej 19 vjetësh, njëkohësisht avokate e familjes së ish kryeministrit Fatos Nano); Andi Çeliku (gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për 6 vjet, aktualisht avokat prej dhjetë vjetësh) dhe Arjana Fullani (gjyqtare për njëmbëdhjetë vjet, aktualisht drejtore e Shkollës së Magjistraturës prej tetë vjetësh, ka marrë titullin "Master" në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, bashkautore e tekstit "E drejta familjare".
Procedura
Ndryshimet në rregulloren e Kuvendit në nenin 111, që ka të bëjë pikërisht me emërimin e kandidatëve në organet kushtetuese, pritet të përdoret për herë të parë pikërisht në rastin e gjashtë dekreteve për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Kështu, pas depozitimit të këtyre dekreteve, kryetarja e Kuvendit pritet t'ia përcjellë ato menjëherë Komisionit të Ligjeve, i cili është i detyruar, me ndryshimet e reja, të vendosë brenda tri javëve nëse kandidatët i plotësojnë kushtet ligjore. Ndërkohë, këto gjashtë emra pritet të kalojnë në "sitën" e Kuvendit përsa i përket plotësimit të kushteve ligjore. Komisioni i Ligjeve tani ka të drejtën të zhvillojë seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Ndërkohë që në rastin kur kandidatura nuk plotëson kushtet ligjore të vendosura në Kushtetutë apo ligj, Komisioni i Ligjeve nëpërmjet raportit të tij, i kërkon kreut të Kuvendit, Topalli, të njoftojë institucionin e Presidentit për mospërmbushjen e këtyre kritereve. "Procedura e shqyrtimit në Kuvend vazhdon vetëm në rastin kur institucioni propozues shprehet lidhur me këtë çështje", thuhet në pikën 7 të nenit 111 të rregullores së Kuvendit, çka do të thotë se nëse Presidenti Topi nuk shprehet, Kuvendi nuk do t'i votojë dekretet e tij.

Dekretet e Presidentit për Gjykatën e Lartë

Aleksandër Muskaj
Gjyqtar prej shtatëmbëdhjetë vjetësh, ish-anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, aktualisht gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka marrë titullin "Master" në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.

Majlinda Andrea
Gjyqtare prej gjashtëmbëdhjetë vjetësh në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës.

Guxim Zenelaj
Gjyqtar për katër vjet, ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë për trembëdhjetë vjet, ish-avokat i Përgjithshëm i Shtetit, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Evelina Qirjako
Juriste prej nëntëmbëdhjetë vjetësh.

Andi Çeliku
Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për 6 vjet, aktualisht avokat prej dhjetë vjetësh.

Arjana Fullani
Gjyqtare për njëmbëdhjetë vjet, aktualisht drejtore e Shkollës së Magjistraturës prej tetë vjetësh, ka marrë titullin "Master" në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, bashkautore e tekstit "E drejta familjare".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›