E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elvis Sina: Mema nje plus i madh per Tiranen

Sokol Paja
Mbrojtësi i Tiranës Elvis Sina, ndër më të spikaturit e formacionit bardhë e blu gjatë pjesës së parë të kampionatit deklaron se Tirana nëse do të arrijë të titulli duhet që të mendojë jo për titullin por që të fitojë ndeshjet një e nga një. Ndeshja me Kastriotin sipas Sinës kërkon një vëmendje të madhe sepse krutanët janë të paparashikueshëm dhe jo për këtë ata bënë befasinë e javës së shkuar duke mundur Vllazninë 3-1. Ardhja e Sulejman Memës në krye të ekipit sipas Sinës do të ndikojë në arritjen e sa më shumë sukseseve në krye të ekipit të Tiranës, ndërsa nuk pranon të japë mendim në lidhje me shkarkimin e Astrit Hafizit. Sina, si e shikoni ndeshjen me Kastriotin? Është një ndeshje shumë e vështirë pasi Kastrioti mundi Vllazninë dhe për ne kjo do të jetë një sfidë mjaft delikate. Unë mendoj se do ia arrijmë të dalim me sukses. Transfertat janë gjithmonë të vështira, Kruja është në gjendje të mirë psikologjike dhe kam frikë se do na hapin shumë punë. Ne jemi përgatitur mjaft mirë për këtë ndeshje sepse e njohim mirë kundërshtarin, por do u thoja krutanëve se Tirana nuk është Vllaznia. Me potencialin që ka Tirana kam përshtypjen se do dalim triumfues dhe duke dhënë maksimumin besoj se arrihet cdo gjë. Keni një diferencë prej 11 pikësh me Dinamon, si mendoni mund të fitoni titullin kampion? Nuk e mendoj titullin asnjëherë. Ne do të shohim cdo kundërshtar që na del përpara dhe duke fituar cdo takim atëherë edhe titulli është i arritshëm. Nëse fitohen ndeshjet me radhë atëherë edhe vendi i parë vjen lehtë. Të fitojmë ky është pikësynimi ynë i parë. Duke fituar do të arrijmë aty ku duhet dhe aty ku kërkon Tirana të jetë. I drejtë shkarkimi i Hafizit? Unë nuk mund të jap asnjë mendim, sepse është detyrë dhe përgjegjësi e donatorëve të cilët e kanë marrë atë vendim. Unë nuk mund të them asnjë fjalë. Unë e respektoj mendimin e donatorëve sepse ata vendosin për gjithcka. Cili është mendimi juaj për trajnerin e ri Mema? Është një plus shumë i madh për klubin e Tiranës ardhja e Sul Memës tek Tirana. Dihen mirë aftësitë e Memës dhe të gjithë e dinë se ai është ndër trajnerët më të mirë në Shqipëri. Ai është mjaft kërkues ndaj ekipit. Me grintën dhe kërkesat e tij ai do të sjellë atë që i ka munguar Tiranë edhe ne do të jemi akoma më mirë në renditje dhe në vazhdimësinë e ecurisë së ekipit. Unë mendoj se me ardhjen e Memës, Tirana do të korrë suksese sepse ai është një trajner me shumë eksperiencë dhe me mjaft suksese në karrierën e tij si trajner dhe si futbollist. Ju mendoni se Mema është më i mirë se Hafizi? Se cili është më i mirë nga ata të dy, atë do ta tregojë koha. Do ta tregojnë rezultatet që do të arrihen në vazhdimësi. Sukseset me ekipin do të tregojnë gjithcka në lidhje me aftësitë dhe zotësitë e të dy trajnerëve. Unë mendoj se të dy janë trajnerë të mirë. Koha do të jetë gjykatësi i të dyve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›