E Diel, 1 Nëntor 2026

Emblemat e komunave do t’i vlerësojë komisioni i MAPL-së

Prishtinë, 20 gusht - Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të analizojë përmbajtjen e emblemave të të gjitha komunave. Një komision i kësaj ministrie do të dalë shumë shpejt me disa rekomandime për të gjitha komunat, ku përfshihen edhe komunat me shumicë serbe. 
Komuna më e re e Kosovës, komuna e Parteshit pritet që deri në mes të muajit të ardhshëm të ketë emblemën e saj. Këtë e pohon edhe kryetari i kësaj komune, Nenad Cvetokviq.
Ndërkohë, ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka themeluar një komision të brendshëm, i cili ka të bëjë me analizimin e gjendjen e emblemave të të gjitha komunave të Kosovës. Sipas zëdhënëses Lumnije Demi, ky komision pritet të dalë së shpejti me rekomandimet përkatëse për këto komuna, raporton RTK-ja.
Polemikat rreth përmbajtjes së emblemave të komunave vijnë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për ndryshimin, gjegjësisht për largimin e stemës së Lidhjes së Prizrenit.
Në bazë të ligjit për vetëqeverisje lokale, përkatësisht nenit 7 të këtij ligji, komunat kanë të drejtë të bëjnë vetë përzgjedhjen e emblemës së komunës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›