E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia ndihmon Universitetin e Prizrenit me kuadro dhe mjete financiare

Prizren, 20 gusht – Një ditë pas marrëveshjes me Ministrinë e Bujqësisë, Agjencia Turke për Zhvillim (TIKA), të premten ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi edhe me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, për të mbështetur Universitetin e Prizrenit me kuadro dhe mjete financiare.
Enver Hoxhaj, ministër i MASHTT-it, këtë marrëveshje e ka cilësuar shumë të rëndësishme për Universitetin e Prizrenit. Ai ka thënë se përmes këtij bashkëpunimi Turqia do ta ndihmojë Universitetin e Prizrenit në tri rrafshe.
“Së pari, Turqia do të ofrojë mësimdhënës që do të ligjërojnë në Universitetin e Prizrenit për programet në gjuhën turke dhe në gjuhën angleze. Së dyti, do të ndihmojë me dërgimin e një profesori dhe eminenti ndërkombëtar në bordin e Universitetit të Prizrenit dhe, së treti, TIKA dhe MASHT-i, përmes një financimi të përbashkët, do të rinovojnë,
adaptojnë dhe përgatisin godinën e Fakultetit të Edukimit dhe ndërtesën e Shkollës së Mesme, që do të jenë ndërtesat e para të Universitetit të Prizrenit”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka falënderuar TIKA-n për ndihmën e madhe që i ka dhënë deri tash arsimit fillor, arsimin të mesëm dhe atij të lartë në Republikën e Kosovës këto 10 vjet të fundit.
Kulakli Kaya, president i TIKA-së, ka deklaruar se nënshkrimet në këtë marrëveshje janë shenjë e mbështetjes së vazhdueshme të Turqisë për Republikën e Kosovës.
“Me këtë memorandum mendojmë që edhe më tutje është duke u përforcuar lidhja jonë. Investimi në arsimim është investimi më i mirë dhe më i vlefshëm. Dhe arsimi i lartë është hallka më e fortë e gjithë këtij cikli. Po ashtu, Universiteti i Prizrenit do të ketë funksionin e rëndësishëm për paqen ndëretnike në Prizren dhe në gjithë Kosovën”, ka theksuar Kaya.
Ai ka bërë të ditur se Turqia do të vazhdojë edhe më tutje të mbështesë Universitetin e Prizrenit në themelim, dhe gjithë shtetin e Kosovës në këtë fazë të tranzicionit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›