E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emergjencat, Avokati i Popullit niset drejt Kukësit

TIRANË- Avokati i Popullit Igli Totozani është nisur sot, bashkë me një pjesë të stafit të tij, për një vizitë pune në qytetin e Kukësit, në shenjë solidariteti dhe mbështetje për strukturat lokale në kushtet e të ftohtit të madh që ka përfshirë vendin.

Burime zyrtare nga institucioni i Avokatit të Popullit bënë të ditur sot se, në këtë vizitë pune, Totozani do të takohet me Prefektin e Qarkut të Kukësit, Elez Masi, i cili është dhe Kryetari i Shtabit të Emergjencave dhe me Kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti, Hasan Halili.
Stafi i institucionit të Avokatit të Popullit do të kontribuojë me disa ndihma ushqimore për familjet e bllokuara nga bora, ndihma këto kontribut personal i stafit të Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit ka ftuar shoqërinë civile, por dhe çdo qytetar, për të mbështetur punën e madhe që po bëhet për trajtimin e këtyre zonave dhe të jenë solidar dhe pse jo dhe vullnetarë, për të ndihmuar që kjo gjendje të përfundojë pa drama për jetën e qytetarëve shqiptarë.
Një dimër i tillë kërkon jo vetëm punën e Forcave të Armatosura, por dhe ndihmën, kontributin dhe solidaritetin e të gjithë qytetarëve të këtij vendi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›