E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emërimet politike në administratë

Krenohemi, sepse NATO përshëndeti Shqipërinë për hapat që ka hedhur në drejtim të reformave. Ndërsa Bashkimi Evropian kërkon vazhdimin e reformave. Dhe në Shqipëri reformat bëhen. Hiqen specialistët nga vendet e punës dhe zëvendësohen me njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me këtë vend pune, por janë militantë, ose funksionarë partie. Edhe kjo quhet reformë.

Emisioni "Fiks Fare" dje ka nisur një nga temat më të diskutuara pas ndërrimit të pushtetit me zgjedhjet e 3 korrikut 2005, atë të shkarkimeve të punonjësve të administratës shtetërore dhe emërimeve politike. Ndërrimi i pushteteve është shoqëruar vazhdimisht me polemika të shumta e të mëdha lidhur me ndryshimet që ndodhin në administratë, ku opozita dhe pozita akuzojnë njëra-tjetrën për shkarkime politike. Zyrtarët e sotëm nuk pyesin as për kritere, as për konkurse dhe as për ligjin. Me ardhjen e koalicionit të djathtë në qeveri, partive të vogla iu dhanë disa ministri. Kryetarët e partive të vogla, sapo u emëruan ministra, filluan shkarkimet dhe firmosjen e emërimeve të reja. Të gjithë funksionarët e partive të tyre gjetën nga një vend pune në poste drejtuese në administratën e ministrive.

Sot partia dhe ministria janë një. Kur thua Parti Republikane, ke thënë Ministria e Mbrojtjes, kur thua Ministria e Shëndetësisë ke thënë Partia Demokristiane, kur thua Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale ke thënë Partia e të Drejtave të Njeriut, kur thua PDR ke thënë Ministria e Arsimit etj. Kaq të lidhura janë me njëra-tjetrën, saqë nuk është problem të mbledhësh edhe kuotat e aderimit në këto parti nëpër ministritë që drejtohen nga kryetarë partish. Madje, punonjësit e administratës apo drejtues institucionesh janë të detyruar që shpeshherë të kalojnë nga njëra parti te tjetra, vetëm e vetëm që të fitojnë një vend pune.

Kryetari i degës së Partisë Republikane të Tepelenës sot është drejtori i Privatizimit në Ministrinë e Mbrojtjes; kryetari i PR-së për Tiranës është emëruar rektor i Akademisë Ushtarake; kryetari i PR-së së Fierit është në postin e drejtorit të personelit në të njëjtën ministri, ku deri pak ditë më parë ministër ishte kreu i Partisë Republikane të Shqipërisë, z. Fatmir Mediu.

Po kështu, drejtori i Uzinës së Poliçanit, z. Kasem Mahmutaj, është edhe kryetar i PR-së së Beratit, ndërsa në kampin e Pushimit të Ushtarakëve në Durrës, të gjithë punonjësit, deri edhe lulishtari, janë aktivistë të Partisë Republikane. Të gjithë kryetarët e tjerë të degëve të PR-së në rrethe janë emëruar drejtorë të Shtëpive të Ushtarakëve. Pra, sapo Partia Republikane mori Ministrinë e Mbrojtjes, e gjithë administrata civile u shkarkua nga detyra dhe u zëvendësua me aktivistë të devotshëm të kësaj partie.

E njëjta skemë është ndjekur edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, ku ministër është kryetari i Partisë Demokristiane, z. Nard Ndoka. E gjithë partia është zhvendosur në këtë ministri. Kryetari i saj është ministër, dy nënkryetarët e PDK-së, Sokol Frroku dhe Aida Joanidhi, janë emëruar përkatësisht në postet e drejtorit juridik dhe atë të personelit në këtë ministri. Shefi i organizimit të PDK-së, z. Edmond Stojku, është drejtor i Përgjithshëm i politikave të ministrisë, zv/shefi i organizimit në PDK është drejtor i shërbimeve në të njëjtën ministri, pa folur për drejtorët e spitaleve apo të Shëndetit Publik dhe atij parësor nëpër rrethe. Të gjithë kryetarët e degëve të Partisë Demokristiane në rrethe janë emëruar në poste drejtuese në shëndetësi. Në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza" në kryeqytet, mbi 150 punonjës janë aktivistë të PDK-së.

Reforma nuk është shtrirë vetëm në poste drejtuese nëpër ministri, por edhe në rangje shoferësh. Menjëherë pas ardhjes së Partisë Demokratike në qeverisje, reforma fshiu nga administrata edhe shoferët. "Fiks Fare" publikoi dje urdhrin e ish-ministrit të Drejtësisë, z. Aldo Bumçi, për largimin nga puna të dy shoferëve të këtij institucioni për... motive politike. Është një shkresë e datës 17 janar 2006. Midis të tjerash, në motivacionin e largimit nga puna të dy shoferëve, Sali Merkaj dhe Arben Berberi, theksohet se këta dy punonjës, me detyrë shoferë, cilësohen si persona që ushtrojnë veprimtari të drejtpërdrejtë ndihmëse për realizimin e funksioneve politike të personave drejtues, pra përfshihen në listën e personave që cilësohen "funksionarë politikë". Madje, ish-ministri i Drejtësisë gjen edhe ligjin, të cilit i referohet për largimin e tyre politik. "Në bazë të nenit 14, të ligjit 8095, marrëdhënia juridike e funksionarëve politikë merr fund për motive politike". Për këtë arsye, thekson ish-ministri Bumçi, lirimi nga detyra i këtyre dy shoferëve është i bazuar në legjislacionin shqiptar në fuqi. Pra, edhe posti i një shoferi në administratën shqiptare konsiderohet politik dhe për këtë duhet t‘i nënshtrohet reformës.

Çudirat nuk mbarojnë këtu. Këta dy shoferë largohen nga puna për motive politike, dhe po për arsye politike rekomandohet emërimi si shofer i një militant i Partisë Demokratike, i cili kishte sakrifikuar shumë në mbrojtjen e selisë së kësaj partie në qytetin e Durrësit.

Në një kërkesë, drejtuar Ministrisë së Brendshme nga Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun në Kuvendin e Shqipërisë, në emër të kryetares, znj. Jozefina Topalli, kërkohet ndihma për t‘i ofruar një vend pune një militanti të PD-së së degës së Durrësit, si shofer, në një nga sektorët e Ministrisë së Brendshme. Bashkëngjitur me kërkesën nuk ka ndonjë CV apo fotokopje të lejes së drejtimit të automjetit, por një karakteristikë e përpiluar dhe vulosur nga drejtuesit e degës së PD-së në Durrës. Në këtë karakteristikë të këtij personi, theksohet se kandidati për shofer në Ministrinë e Brendshme është anëtar i PD-së që nga fillimet e vitit 1991. Përveç të tjerash, ai "është një aktivist i gjallë i Partisë Demokratike", theksohet në karakteristikë. Gjithashtu ai "u është përgjigjur thirrjeve për të ruajtur me armë selinë e PD-së së Durrësit për disa ditë me radhë, paradite, pasdite dhe natën. Me propozimin e degës së PD-së në Durrës ky person shkoi në qytetin e Fierit (Qafën e Koshovicës) për ruajtjen e qetësisë, së bashku me trupat e SHIK-ut të Shkodrës".

Të gjitha këto veprime të këtij militanti shërbejnë si CV për t‘u punësuar në administratën e sotme, madje të shërbejnë edhe për të përfituar një rekomandim nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkohë që flitet çdo ditë për reforma dhe krenohemi për rezultatin e këtyre reformave.

EMERIMET

Ministria e Mbrojtjes

Maliq Gjebrea, drejtor i Privatizimit - kryetar i PR-së në Tepelenë

Alfred Deshati, drejtor i Shtëpive të Ushtrisë (funksionar i PR-së)

Elmaz Laçi, rektor i Akademisë Ushtarake (ish-Shkolla e Bashkuar) - kryetar i PR-së në Tiranë

Serafina Dervishi, drejtore juridike - kryeredaktore e gazetës "Republika"

Muharrem Kajolli, drejtor personeli - kryetar i PR-së në Fier

Teuta Rexhepi, kryeredaktore e revistës "Mbrojtja" - kryetarja e PR-së në një lagje të Tiranës

Muharem Dardha - Drejtoria e Informacionit (kryetar i PR-së së Ndroqit)

Teuta Rama, drejtoreshë e ushqimit social të ushtrisë - kryetare e gruas së PR-së

Zerina Kuke, drejtoreshë e Shtëpisë së Oficerëve në Tiranë - bashkëshorti i saj Pali Kuke, anëtar i PR-së

Sokol Terihati, drejtor i botimeve zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes - sekretari për Marrëdhëniet me Median në PR

Kasem Mahmutaj, drejtor i Uzinës së Poliçanit - kryetar i PR-së së Beratit

Në shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve në Durrës - të gjithë të PR-së (edhe lulishtari është anëtar i PR-së)

Ministria e Shëndetësisë

Nard Ndoka, ministër - kryetar i PDK-së

Aleksandër Lipivani, drejtor i prokurimeve në ministri

Edmond Stojku, drejtor i Përgjithshëm i Politikave - shef i organizimit në PDK

Sokol Frroku, drejtor juridik në ministri - nënkryetar i PDK-së

Aida Joanidhi, drejtore e personelit - nënkryetare e PDK-së

Haris Murana, drejtor i Shërbimeve - zv/shef i organizimit në PDK

Bruna Tusha, drejtore e Marrëdhënieve me Jashtë - më parë sekretare e Ndokës në PDK

Emanuel Dungu, drejtor i spitaleve - anëtar i kryesisë së PDK-së

Adnan Bërdica, drejtor i Auditit në ministri dhe mik personal i ministrit; shkodran

Mati Pepa, drejtor i QSUT-së - anëtar i kryesisë së PDK-së



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›