E Shtunë, 31 Tetor 2026

Multietniciteti nuk e bashkon Kosoven

Multietniciteti sot dhe vëllazërim-bashkimi në kohën e Titos nuk e ruajtën dhe nuk e mbajtën shtetin në këmbë, por ishte ekonomia dhe mirëqenia që nuk u lejuan njerëzve të mendojnë për mënyrën dhe ekzistencën e shtetit. Pse duhet sërish Kosova të bëhet eksperiment i radhës së një shteti modern, kur multietniciteti nuk mund të ndërlidhet me bashkëjetesën e njerëzve që kanë luftuar, ndërsa për mirëjetesën duhet të na shërbejë shembulli i Bërçkos në Bosnjë e Hercegovinë, që sot ka marrë nofkën Arizonë?

Mosintegrimi i veriut

Pakënaqësia e serbëve të Kosovës që u përqendrua në pjesën veriore, bëri që administrata ndërkombëtare të mbyllë sytë karshi institucioneve paralele që kishte krijuar Beogradi zyrtar, edhe pse ato po pengonin zhvillimin normal të Kosovës së pasluftës.

Angazhimi i OJQ-ve të ndryshme për bashkëjetesë nuk ishte asgjë tjetër vetëm se humbje kohe dhe leku, për projekte që përfunduan me ca dreka dhe darka të të rinjve që nuk kishin lindur, kur prindërit dhe gjyshërit e tyre po vriteshin dhe masakroheshin nga fqinjët e tyre serbë. Gjithçka përfundoi brenda atyre mureve, dhe si ata që ligjëruan dhe trajnuan këta të rinj, ashtu edhe këta të fundit mund të thonë se, bashkë, serbët dhe shqiptarët, edhe mund të jetojnë, por si dhe ku, kjo është një pyetje që ka lodhur e stërlodhur shumë koka akademike, strategë ushtarakë, politikanë dhe qeveri të ndryshme, që e menduan shtetin e tyre ideal.

Duhet të kalonin edhe nëntë vjet, pas 55 të tjerave në Jugosllavinë e Titos për të konfirmuar dashurinë që kishin popujt në ish-Jugosllavi e së fundmi edhe në Kosovë. Dhe derisa këta serbë që jetonin në veri, dhe ata që u përqendruan nga pjesët e ndryshme të Kosovës për të jetuar në pjesën veriore vazhdojnë të theksojnë se janë për një jetë ku fqinji i tyre para dhe mbrapa, majtas dhe djathtas duhet të jetë serb, ndërkombëtarët dhe qeveria e Kosovës, pa pikën e lidhjes hapin gojën për një jetë multietnike dhe bashkëjetesë me serbët.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kjo indinjatë serbe u egërsua edhe më shumë, ndërsa dozës së urrejtjes serbe iu shtuan edhe ca leksione nga Beogradi se si nuk duhet të jetosh në Kosovën e pavarur.

Serbët kopjuan një model të shëmtuar kosovar të refuzimit të pjesëmarrjes në institucionet më vitale si parlamenti, policia, posta, spitali, ujësjellësi e elektroekonomia kosovare, aty ku ata kishin mundur të bënin çudira duke dëgjuar Beogradin dhe duke marrë lekë nga buxheti i shtetit.

Madje gjithçka që ofron Plani i Ahtisarit, ata e kanë refuzuar duke mos e menduar se cila do të ishte jeta më e mirë, ajo në shtetin e pavarur të Kosovës, apo në Serbi, ku dihet se serbët e Kosovës quhen "shqiptarë".

Ndërsa institucionet e Kosovës, ashtu si ato të Millosheviçit në fillimvitet ‘90, nuk u ofrojnë kushte serbëve duke ju dhënë shembuj praktikë me oferta pune, pa perfomancë mediatike si Enveri, Titoja ose Millosheviçi, e me qëllim të një mirëqenieje serbe në Kosovën moderne, që nuk duhet dhe nuk mundet që me dhunë të bëhet multietnike.

Venitja e urrejtjes

Shembulli i Bërçkos në Bosnjë, që mban nofkën Arizona, dëshmon se si popujt e urryer dhe të frikësuar për një kohë të gjatë nga gryka e tytës mund të bashkëjetojnë ose të mos kenë kohë të mendojnë se kë kanë afër ose përballë.

Kur me Marrëveshjen e Daytonit në vitin 1995 Bosnjë e Hercegovina u nda nga 14 kantone dhe një distrikt që ishte Bërçko, lindi ideja e jetësimit të një eksperimenti që përmes lidhjeve ekonomike të pajtohen ata që deri dje kishin luftuar deri në distancë prej dhjetëra metrash, boshnjakët, serbët dhe kroatët. Filloi më 8 mars të vitit 2000, ndërsa mbikëqyret nga përfaqësuesi i lartë për Bosnjë e Hercegovinë dhe kontrollori për Bërçko që ekskluzivisht duhet të jetë amerikan: duke filluar nga i pari që filloi shërbimin më 5 prill të vitit 1997, Robert Farand, e duke vazhduar me Geri Metjuz, Henri Klark, Suzan Xhonson dhe aktualisht Rafi Gregorijan.

Gjithçka filloi me ngritjen e një tregu të madh të gjëve të gjalla në vijën ndarëse të etnive, që forcat amerikane, nuk dihet se pse e quajtën Arizona. Për një kohë të shkurtër, përveç se derra, lopë dhe qengja, në këtë treg mund të gjeje edhe artikuj si cigare, atlete, tuta, stufa e deri te makina. E mira e këtij tregu ishte se nuk kishte taksë dhe shumë shpejt kishim të bënim me një pikë tregtare me çmimet më të ulëta në Ballkan. Filluan kioskat, kafenetë, fast-foodet edhe pse nuk kishte as ujë dhe as kanalizim. Për një kohë të shkurtër filloi të përflitej se aty zhvillohet prostitucioni, droga, dhe se Arizona është zoti i të gjitha krimeve, por policia nuk ndërhynte gjallë në botë. Dhe kur u paraqit rreziku nga një vend që nuk mund të kontrollohej më, SHBA vendosi rregull, filloi regjistrimi i bizneseve dhe pagesa e taksave, ndërsa fillimisht u refuzuan ata që ishin pjesë e krimit të organizuar, ndërsa shteti për tre vjet voli 150 mijë euro TVSH. Por gjithçka filloi të futej në kornizat ligjore e në vitin 2002 shpallet tender ndërkombëtar dhe për dy vjet Arizona bëhet një qendër tregtare moderne, ku paguhen kontribute për 3000 punëtorë. Dhe sot, pas tetë vitesh, projekti amerikan i bashkësisë multietnike u tregua si i suksesshëm. Askush nuk ka kohë për urrejtje ndëretnike, janë investuar 100 milionë euro dhe rroga mesatare është 400 euro. Aty tani ka dyqane dhe restorante supermoderne me gjithsej 750 mijë metra katrorë dhe 5000 vende parkimi, ndërsa çdo muaj drejt Turqisë udhëtojnë mesatarisht 1000 tregtarë.

Pra, në Bërçko nuk flet më njeri për Marrëveshjen e Daytonit ose Planin e Ahtisarit, aty punohet dhe jetohet dhe për broçkulla si multietniciteti. Nuk përfliten sepse nuk ka kohë, duhet numëruar malli dhe leku, ajo që mungon në dyqanet, sirtarët dhe xhepat e këtyre njerëzve që gjithçka krijuan me punë.

Një Arizonë e tillë mungon në cepin e veriut të Kosovës, aty ku mungon leku dhe papunësia është në rritje dhe gjithçka që ofrohet e shkruar në letër është e kotë. Mitrovicasit, qofshin ata serbë ose shqiptarë, ka kohë që shikohen përmes grykës së pushkës, dhe derisa njëra palë mban sytë dhe veshët nga Beogradi, tjetrës i shtohet doza e urrejtjes për ata në veri të Urës së Ibrit.

Edhe pse janë konsumuar projekte, kohë dhe djersë në pafundësi drejt gjetjes së një zgjidhjeje për integrimin e veriut të Kosovës, punësimi i atyre që po protestojnë ose rriten, do të jetë oferta më e mirë multietnike, për të mos menduar për këtë zhargon politik që vazhdon të jetë ufo-politikë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›