E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO dhe ushtria shqiptare

Duke marrë ftesën për bisedime për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit, Shqipëria përmbushi një synim strategjik që kontribuon fuqimisht në realizimin e interesave të saj kombëtare. Në themel të kësaj arritjeje madhore qëndrojnë ajo klimë e favorshme që ekziston në vendin tonë, si rezultat i mbështetjes masive të opinionit publik për aspiratën e anëtarësimit, si dhe përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve tona në të gjitha fushat: politike, të mbrojtjes, ekonomike, etj. Siç u theksua në samit, kjo arritje u shënua në sajë të përpjekjeve të mëdha dhe demonstrimit të angazhimit për sigurinë e përbashkët dhe ndarjen e vlerave të njëjta me NATO-n. Progresi i suksesshëm i reformës së mbrojtjes dhe pjesëmarrja aktive në operacionet në mbështetje të paqes jashtë vendit kontribuuan në mënyrë thelbësore në dhënien e ftesës.

Pas marrjes së ftesës, fillon një periudhë e ngjeshur e bisedimeve për anëtarësim në NATO. Bisedimet për anëtarësim janë një seri takimesh midis ekipeve të ekspertëve të NATO-s dhe ekipeve nga institucionet shqiptare për të diskutuar dhe konfirmuar zyrtarisht interesin, vullnetin dhe mundësitë e Shqipërisë për të plotësuar detyrimet dhe angazhimet politike, ligjore dhe ushtarake për anëtarësim. Ekspertët e NATO-s do të diskutojnë me negociatorët tanë për çështje specifike dhe reforma ku pritet të arrihet progres i mëtejshëm para dhe pas anëtarësimit, me synim rritjen e kontributit tonë për Aleancën. Produkt final i këtyre diskutimeve do të jetë një kalendar me afate, që paraqitet nga vendi ynë për përmbushjen e këtyre reformave.

Periudha e bisedimeve për anëtarësim do të jetë e ngjeshur, jo thjesht me përgatitjen dhe zhvillimin e negociatave të suksesshme me NATO-n. Ajo do të jetë periudhë e intensifikimit të përpjekjeve nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH) për të thelluar në të gjitha drejtimet reformën e mbrojtjes, duke përshpejtuar ritmet për realizimin e prioriteteve që mundësojnë përgatitjen e një force të armatosur sipas standardeve të NATO-s. Duke bërë një vlerësim të përgjegjshëm të momentit, pas marrjes së ftesës për bisedime për anëtarësim, synimet e FARSH duhet të fokusohen në tre drejtime kryesore.

Së pari, të sigurohen ritme të shpejta për të thelluar transformimin, duke u fokusuar në prioritetet për anëtarësim. Kjo kërkon që të shihen në mënyrë realiste edhe mangësi që shfaqen në progresin e ngadaltë të disa objektivave, pa i mbuluar pas progresit tërësor të transformimit. Duhet mbajtur parasysh se, gjatë bisedimeve për anëtarësim, negociatat që do të zhvillohen në fushën e mbrojtjes do të fokusohen në dy aspekte themelore: ato do të testojnë përvetësimin e mekanizmit të planifikimit të mbrojtjes kolektive të NATO-s nga strukturat përkatëse të FARSH, si dhe do të skanojnë në një farë mënyre kapacitetet e FARSH. Disa nga prioritetet themelore ku duhet të fokusohen Forcat e Armatosura për periudhën e bisedimeve do të ishin:

Plotësimi i kuadrit të dokumenteve bazë strategjike të rishikuara. Periudha në vijim do të jetë periudhë e zbatimit në mënyrë të monitoruar të dokumenteve bazë në funksion të transformimit aktual dhe të perspektivës së zhvillimit të FARSH si Strategjia Ushtarake, Plani Afatgjatë i Zhvillimit të FARSH 2007-2020, Udhëzimi për Planifikimin Strategjik 2008 etj. Nga ana tjetër, do të përshpejtohet puna për përgatitjen e dokumenteve të tilla si Strategjia e Sigurisë Kombëtare (pjesa e mbrojtjes) dhe Libri i Bardhë. Është e rëndësishme që këto dokumente të reflektojnë edhe më mirë kërcënimet aktuale që janë specifike edhe për vendin tonë.

Ristrukturimi dhe profesionalizimi i forcës sipas standardeve të NATO-s. Në ciklin e fundit të Planit të Veprimit për Anëtarësim, bazuar në Konceptin Strategjik të NATO-s, FARSH u fokusuan në transformimin e forcës aktuale në një forcë tërësisht profesioniste deri në vitin 2010. Për periudhën e bisedimeve për anëtarësim duhet të synohet të merren masa të gjithanshme që një forcë, tashmë me përmasa më të vogla, të rrisë më tej cilësinë, të jetë e dislokueshme, e qëndrueshme dhe e ndërveprueshme me NATO-n, me theks të veçantë në kapacitetet operacionale, dhe me një eficencë më të mirë në zinxhirin e komandimit. Duhet të merren masat për përfundimin e plotësimit me personel cilësor të disa strukturave, si dhe të ndërtohet më mirë puna promovuese, organizative dhe llogari-kërkuese për të realizuar rritjen e planifikuar të numrit të ushtarëve profesionistë për njësitë prioritare.

Modernizimi i forcës dhe rritja e kapaciteteve. Bazuar në një buxhet më të madh të akorduar nga qeveria për modernizimin e FARSH, është përgatitur plani i modernizimit të FARSH me një sërë projektesh për modernizimin e sistemeve dhe pajisjeve për vitin 2008 dhe ka filluar puna për zbatimin e tyre. Synimi aktual do të jetë përdorimi me eficencë i buxhetit të akorduar për modernizimin, duke monitoruar rigorozisht zbatimin e këtyre projekteve, për rritje reale të kapaciteteve të FARSH, si një nga kërkesat më kryesore për të arritur standardet e Forcave të Armatosura që kontribuojnë në mbrojtjen kolektive të Aleancës.

Rritja e mëtejshme e ndërveprueshmerisë me NATO-n. FARSH kanë vijuar përpjekjet për rritjen e nivelit operacional të njësive prioritare dhe të njësive të deklaruara në dispozicion të NATO-s, duke i plotësuar ato me ushtarë profesionistë, dhe duke i pajisur, trajnuar e vlerësuar sipas standardeve të NATO-s. Zbatimi i Objektivave të Partneritetit ka ndikuar në rritjen e kapaciteteve operacionale, duke plotësuar personelin, trajnuar, dhe pajisur më mirë veçanërisht njësitë e planifikuara për operacionet NATO/PfP. Për periudhën në vijim duhet të punohet në mënyrë më të organizuar për ngritjen dhe funksionimin e ciklit të standardizimit në FARSH dhe për realizimin e Objektivave të Partneritetit.

Përmirësimi i vazhdueshëm i menaxhimit të personelit. Janë bërë përpjekje të vazhdueshme që edukimi, trajnimi, stërvitjet dhe sistemi i vlerësimit në FARSH të zhvillohen bazuar në standardet e NATO-s. Përmirësimi i politikës së emërimeve po siguron një rotacion të personelit mbi baza të programuara. Gjatë vitit 2008 duhet të zbatohen objektivat e planizuara që Qendra e Personelit dhe Rekrutimit të marrë një fizionomi të plotë, si një drejtim shumë i rëndësishëm në procesin e reformës për të marrë përsipër jo vetëm rekrutimin, por edhe detyrat e tjera të menaxhimit të personelit, të karrierës dhe sistemeve të promocionit për personelin ushtarak e civil.

Pjesëmarrja në operacionet e drejtuara nga NATO dhe në operacione të tjera ndërkombëtare. Pjesëmarrja aktive në këto operacione ka ndikuar edhe në zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve operacionale dhe të ndërveprueshmërisë së njësive tona me forcat e vendeve të Aleancës, si në misionin ISAF, në misionin ALTHEA, apo në misionin "Iraqi Freedom." Pas rritjes gjatë vitit të kaluar të kontributit me një kompani këmbësorie shtesë në misionin ISAF, kontributi i Shqipërisë në operacionet ndërkombëtare përfshin një personel prej afro 358 vetë, që përbën rreth 5.4 % të të gjithë komponentit tokësor. Shumë shpejt do të sigurohet pjesëmarrja me Ekipe Operacionale Këshilluese e Koordinuese (OMLT) në ISAF, në Afganistan dhe me një skuadër për pastrimin e zonave të infektuara nga minat (AEM) në misionin Althea në B&H. Gjithashtu do të përshpejtohet puna për konkretizimin e pjesëmarrjes në operacionin "Active Endeavour" të drejtuar nga NATO në Detin Mesdhe.

Sovraniteti i hapësirës ajrore e detare dhe patrullimi ajror. Krahas hapave të hedhur do të përshpejtohen procedurat për përfundimin e marrëveshjeve përkatëse dhe për implementimin e projekteve konkrete me NATO-n dhe me vendet aleate, në bashkëpunim me vendet e rajonit, duke u orientuar në gjetjen e zgjidhjeve më të përshtatshme dhe më eficente.

Shkatërrimi i pajisjeve të tepërta dhe municionit. Do të rishikohen planet për eliminimin më të shpejtë e të sigurt të municioneve stok, duke shikuar edhe mundësinë për partneritetin nëpërmjet një Trust Fund-i si asistencë e huaj.

Rritja e bashkëpunimit shumëpalësh, bilateral dhe rajonal. Diplomacia e Mbrojtjes kontribuoi ndjeshëm në vlerësimin e vendit tonë për marrjen e ftesës për anëtarësim. Është rritur numri dhe gama e aktiviteteve të partneritetit me NATO-n, si dhe bashkëpunimit dypalësh e rajonal. Për periudhën në vijim do të synohet të realizohet objektivi për nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me të gjitha vendet e NATO-s. Mbi bazën e një platforme realiste, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes do të orientohet më mirë në realizimin e marrëveshjeve e projekteve të përbashkëta, në funksion të plotësimit të objektivave për anëtarësim të plotë në NATO.

Së dyti, nevojiten masa konkrete e të shpejta për konsolidimin e strukturave të integrimit dhe rritjen e eficencës në punën e tyre. Realizimi me sukses i bisedimeve për anëtarësim, si dhe orientimi e koordinimi i përpjekjeve të FARSH për të plotësuar standardet e NATO-s, kërkon në mënyrë të natyrshme konsolidimin e strukturave përkatëse të integrimit në sektorin e mbrojtjes. Për t‘iu përgjigjur kërkesave rigoroze që do të kërkohen dhe shkëmbimit të shtuar të informacioneve me strukturat e NATO-s, është i nevojshëm fuqizimi i strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm që koordinojnë e monitorojnë ecurinë e realizimit të objektivave gjatë procesit të bisedimeve për anëtarësim.

Duke pasur parasysh përvojën e vendeve anëtare të reja të NATO-s, duhen fuqizuar veçanërisht strukturat e drejtorive që merren me përpunimin e politikave, të cilat duhen përshtatur me ato të vendeve të Aleancës. Ato duhet të çlirohen nga puna rutinë dhe të orientohen për të njohur në mënyrë të thellë politikat e NATO-s për sistemin e mbrojtjes kolektive, për të përpunuar masat për implementimin e tyre në FARSH dhe për të monitoruar ato. Ndërkaq, duhet të shmanget dublimi që vërehet në disa drejtime midis këtyre strukturave me ato të Shtabit të Përgjithshëm. Strukturat e kësaj të fundit, në mënyrë më profesionale, duhet të orientohen në përvetësimin e mekanizmave të implementimit të planifikimit të mbrojtjes kolektive, në implementimin e standardeve të NATO-s në FARSH për rritjen e kapaciteteve reale që do të vlerësohen në rastin e anëtarësimit të plotë në Aleancë. Përzgjedhja e ekspertëve më të aftë në këto struktura të reja do të përbënte kusht kryesor për të garantuar konsolidimin e tyre real.

Këto struktura, në përpjekjet për të rritur eficencën e punës së tyre për të kurorëzuar me sukses bisedimet për anëtarësim të plotë në NATO, duhet të mbajnë parasysh disa nga mësimet e nxjerra nga vendet e reja anëtare të NATO-s gjatë periudhës që ata kanë pasur në bisedimet për anëtarësim në NATO, ndërmjet të cilave mund të veçojmë:

- Të shfrytëzohen arritjet e reformës së mbrojtjes si avantazhe që duhen thelluar, si dhe të evidentohen mangësitë reale, duke marrë të gjitha masat për t‘i eliminuar. Duke u mbështetur tek eksperienca si partner në EAPC/PfP, të pretendohet në të gjitha drejtimet për arritje më të larta cilësore. Të mbahet parasysh nevoja për vepruar me profesionalizëm të lartë që nga dita e parë e anëtarësimit në NATO.

- Të sigurohet një integrim praktik sa më herët që të jetë e mundur në punën dhe institucionet e NATO-s. Të shmangen vonesat në plotësimin e pozicioneve në strukturat e NATO-s, si dhe në adaptimin ligjor.

- Të jetohet me kërkesat e anëtarësimit në NATO, duke u përpjekur për plotësimin e angazhimeve dhe kërkesave. Të adaptohet shpejt e me kërkesa rigoroze kultura e punës dhe ritmi i punës i NATO-s.

- Të fuqizohet pa vonesë delegacioni i Shqipërisë në NATO, sipas strukturës që kanë krijuar vendet e reja të NATO-s.

- Dhënia e kontributit aktiv nga stafi i FARSH që merret me çështjet e NATO-s në kuadrin e strukturave kombëtare të integrimit në NATO.

Së treti, marrja e masave me synim sigurimin e vijimësisë dhe pakthyeshmërisë së reformës së mbrojtjes. Progresi i arritur nga FARSH në ciklin e fundit të MAP-it dhe planet e përcaktuara për vitin 2008 e më tej, përbëjnë një bazë të rëndësishme për të garantuar jo vetëm përmbushjen e detyrimeve për anëtarësim në NATO, por edhe performancë aktive si një anëtar i ardhshëm i Aleancës. Përpjekjet për rritjen e efektivitetit nga të gjithë strukturat e FARSH janë kyç për realizimin e këtyre detyrimeve. Por, rritja e këtij efektiviteti kërkon plotësimin e kushteve të rëndësishme si vijon:

- Rishikimi i strukturës së FARSH për ta përshtatur plotësisht me strukturat e ushtrive të vendeve të NATO-s, duke përcaktuar qartë misionet dhe detyrat e çdo strukture dhe zinxhirin e komandimit.

- Përmirësimi i procedurave të funksionimit të strukturave të nivelit strategjik, duke luftuar si kundër centralizimit të tepruar nëpërmjet delegimit të kompetencave e shmangies së burokracisë, ashtu dhe ndaj shmangies nga detyrimi për të kontrolluar, raportuar dhe ndjekur realizimin e plotë të objektivave.

- Përzgjedhja sa më e mirë e personelit për të gjitha pozicionet, veçanërisht për pozicionet në strukturat e FARSH, duke i hapur rrugë më mirë karrierës së merituar.

- Marrja e të gjitha masave për bashkimin e plotë në strukturën e integruar ushtarake të NATO-s, për pjesëmarrje aktive në mbrojtjen kolektive dhe procesin e planizimit të NATO-s, si dhe për alokimin e fondeve të nevojshme në mbështetje të këtyre qëllimeve. Shqipëria duhet të studiojë, të planifikojë dhe të përgatitet të mirëpresë gjithashtu vendosjen e strukturave ushtarake të NATO-s, zyrave ndërkombëtare, ose shkollave në territorin e saj, si dhe të vazhdojë mbështetjen e plotë për programin e PfP dhe zhvillimin e bashkëpunimit me vende të tjera partnere.

- Përzgjedhja dhe përgatitja e kuadrit cilësor për përfaqësim me personelin e përshtatshëm të kualifikuar për të punuar në strukturat dhe agjencitë e NATO-s. Pjesëmarrja duhet të orientohet që të jetë e ngjashme me atë të vendeve të tjera anëtare me madhësi të ngjashme, në përshtatje me masën e kontributit të Shqipërisë në mbrojtjen kolektive dhe në misione të tjera të Aleancës.

Përgatitja për pjesëmarrje dinjitoze në Aleancë do ta bënte Shqipërinë një vend që konsolidon vazhdimisht demokracinë, që zhvillohet në mënyrë të gjithanshme dhe që ka garanci në transformimin e vazhdueshëm të Forcave të saj të Armatosura. Anëtarësimi në NATO do të krijojë mundësinë për pjesëmarrje aktive në vendimmarrjen e Aleancës dhe në përpunimin e çështjeve që lidhen me sigurinë euroatlantike, dhe për rrjedhojë edhe me sigurinë kombëtare. Kështu Shqipëria do të ishte në pozitë më të mirë për të konfirmuar interesat e saj kombëtare dhe për të rritur prestigjin dhe reputacionin kombëtar. Ky anëtarësim do të krijonte një kuadër më shumë për të zhvilluar dhe fuqizuar marrëdhëniet dypalëshe me partnerët dhe aleatët, do të jepte shanse për të ndërtuar dhe forcuar konfidencën, si dhe do të siguronte një mjedis më të mirë për progresin ekonomik.‏



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›