Liverpul e Çelsi, gjysmëfinalistet e para
Liverpul dhe Çelsi kualifikohen për në gjysmëfinale të Champions. Por, nëse për blutë gjithçka ka qenë e thjeshtë, skuadra e Rafa Benitez ka kaluar përgjatë 90 minutave spektakolare dhe me shumë gola kundër Arsenalit. Në dy përballjet e para (çerekfinalja e parë në Champions dhe takimi i vlefshëm për Premiershipin), Arsenali dhe Liverpuli nuk kanë arritur të nënshtrojnë njëra-tjetrën. Të dyja takimet kanë përfunduar në barazim 1-1, por në "Anfilld" janë luajtur shanset për të vazhduar në aktivitetin më prestigjioz për klube në kontinent. Të parët që kanë kaluar në avantazh ishin miqtë: në të 13-ën, Diabi shtyn në rrjetë një pasim të Hleb. "Reds" kanë reaguar pas 17 minutave, me Hipia, që devijon saktësisht me kokë goditjen e këndit të kapitenit Stiven Xherard. Pjesa e dytë fillon me skuadrën e Benitez në kërkim të golit të avantazhit, pasi që në fillim Almunia duhet të shpëtojë tentativën e Krauç. Avantazhi i Liverpulit vjen në të 69-ën, me Fernando Torres, që realizon një gol të mrekullueshëm. Megjithatë, "topçinjtë" nuk dorëzohen dhe në të 73-ën shkojnë fare pranë golit të barazimit, por Adebajor shpërdoron i vetëm me Reinan. Sulmuesi nuk gabon në të 83-ën, pas një asisti të Teo Uallkot, që ka vrapuar për më shumë se 70 metra, duke kaluar çdo kundërshtar që i dilte përpara. Por, Arsenali bën gabimin që i kushton eliminimin, kur 120 sekonda më vonë Kolo Ture ndërhyn keq ndaj Babel dhe gjyqtari suedez, Frojdfeldt, akordon 11-metërsh. Ekzekutimin e merr përsipër Xherard, që nuk gabon. Rezultati final vuloset nga holandezi Babel, që mposht për të katërtën herë Almunian. Çelsi ka gjetur golin vetëm pas 4 minutave me Mikael Balak. Mesfushori gjerman ka devijuar në rrjetë në goditje dënimi të Lampard, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portierit Volkan Demirel. Avantazhi i ka dhënë qetësi Çelsit, që gjithsesi është shumë agresiv dhe në kërkim të golit të dytë. Megjithatë, Balak dhe sulmuesi Didier Drogba nuk kanë arritur të konkretizojnë mundësitë e krijuara. Londinezët vazhdojnë të vuajnë dëmtimin e portierëve, pasi në mesin e pjesës së parë, italiani Karlo Kudiçini (zëvendësuesi i Çeh) është larguar nga fusha e lojës, duke i lënë vendin portierit të tretë, Hilario. Është pikërisht "gardiani" që shpëton Çelsin në disa raste nga goli i barazimit, që do të thoshte eliminim. Në të 87-ën, Çelsi mbyll çdo diskutim, duke shënuar edhe golin e dytë me Lampard.
Champions League
ÇEREKFINALET
DJE
Liverpul-Arsenal 4-2 (1-1)
Hipia 30‘, Torres 69‘, Xherard 85‘ (11m), Babel 90‘+2‘ / Diabi 13‘, Adebajor 83‘
Çelsi-Fenerbaçe 2-0 (1-2)
Balak 4‘, Lampard 87‘
SOT
Man. UTD-Roma (2-0)
Barcelona-Shalke (1-0)
Champions League
ÇEREKFINALET
DJE
Liverpul-Arsenal 4-2 (1-1)
Hipia 30‘, Torres 69‘, Xherard 85‘ (11m), Babel 90‘+2‘ / Diabi 13‘, Adebajor 83‘
Çelsi-Fenerbaçe 2-0 (1-2)
Balak 4‘, Lampard 87‘
SOT
Man. UTD-Roma (2-0)
Barcelona-Shalke (1-0)