E Diel, 1 Nëntor 2026

Emërimi i gjyqtarëve, ngec pakti për Administrativen

Mbledhja e Komisionit të Ligjeve

Komisioni i Ligjeve ka debatuar dje rreth dy orë për ligjin e Gjykatës Administrative, por në fund ka mundur të miratojë vetëm dy nene.
Maxhoranca dhe opozita ende nuk kanë rënë dakord mes tyre sa u takon dy neneve për funksionimin e gjykatave dhe kriteret e emërimit të gjyqtarëve. Në propozimin e relatorit të Komisionit, Armando Subashi, përcaktohet ngritja e gjykatave të shkallës së parë në godina më vete, në gjashtë qarqe të vendit. Gjykatat administrative të shkallës së parë organizohen së paku në numër dhe për territor të barabartë me atë të gjykatave të apelit të zakonshëm. Veprimtaria e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, si rregull, zhvillohet në selinë e saj. Gjykata mund ta zhvillojë një pjesë të veprimtarisë edhe jashtë selisë së saj, nëse kjo vlerësohet e nevojshme, lehtëson aksesin për cilëndo palë, kursen kohë ose shpenzime procedurale, thuhet në pikën dy të propozuar nga opozita. Nga ana e saj, maxhoranca propozon që këto gjykata të ushtrojnë veprimtarinë e tyre si Dhoma pranë gjykatave të apelit. Sipas diskutimit të fundit që kishim, ramë dakord që ndoshta një lëvizje në Dhoma mund të ishte një përshtatje më e madhe e organizimit të gjykatave administrative në përputhje me statistikat e dhëna: numrin e çështjeve administrative në shkallë rrethi, kohëzgjatjen e tyre, të cilat janë punuar tashmë, u shpreh zv.ministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi. Ndërsa në draftin e shpërndarë nga qeveria pak minuta para nisjes së mbledhjes për këtë nen, thuhet se në përbërje të gjykatave të shkallës së parë, në numër dhe për territor të barabartë me atë të gjykatave të apelit, krijohen Dhoma Administrative për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative. Pika e dytë që mban ende larg në qëndrime dy palët është ajo e numrit të gjyqtarëve që do të vijnë nga jashtë sistemit. Në propozimin e Armando Subashit për këtë pikë thuhet se KLD mund të emërojë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë deri në 10% të numrit të gjyqtarëve, për çdo gjykatë, personat të cilët kanë punuar më parë gjyqtarë për jo më pak se shtatë vjet dhe që nuk janë larguar nga kjo detyrë për shkak të shkeljeve disiplinore ose shtetas shqiptarë me arsim të lartë juridik, me një përvojë akademike 10-vjeçare si titullarë lënde në degë të së drejtës që lidhen me gjykimin administrativ. Ndërsa zv.ministrja Kasmi, në qëndrimin e saj për këtë propozim të opozitës, theksoi se nëse ky nen do të miratohet në këtë formë, duhet të përcaktohet një hapje më e drejtë dhe gjithëpërfshirëse për kategoritë që do të bëhen pjesë të sistemit. Diskutimet e këtij 10 përqindëshi kanë kaluar njëherë kur u diskutua ligji për pushtetin gjyqësor. Në parim do të ishim të idesë që në qoftë se do të vendoset hapja jashtë sistemit gjyqësor, të kishte një hapje më të drejtë dhe më gjithëpëfshirëse edhe për subjekte apo persona të tjerë që i plotësojnë kriteret, dhe konkretisht mund të jenë ata që janë specializuar për dhënien e drejtësisë nëpërmjet Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, u shpreh Kasmi. Në debatin mes maxhorancës dhe opozitës ndërhyri edhe kryetari i Komisionit, Ilir Rusmali. Ai kërkoi që debati për emërimin e gjyqtarëve nuk duhet të ndiqet nga perceptime klienteliste për emra të caktuar gjyqtarësh. Kompromis do të thotë, siç është bërë deri tani, të ketë tërheqje dhe mirëkuptim nga pozicionet fillestare. Prandaj, ju lutem shumë, edhe relatorit, edhe Ministrisë, të mund ta zhvilloni me këtë frymë këtë pjesë të projektligjit sepse është fondamentale për projektligjin. Dhe qëndroni larg me vite dritë çdo lloj perceptimi klientelist. Nuk kemi nevoje në këtë projektligj për perceptime klienteliste. Nuk na duhet fare fati i ndonjë gjyqtari që është sot aty dhe do të bëjë karrierë administrative, apo i ndonjë gjyqtari tjetër që është sot aty dhe nuk do të bëjë karrierë administrative, u shpreh Rusmali. Dita e sotme pritet të jetë e rëndësishme për fatin e këtij projektligji me 84 vota, ku do të shikohet nëse palët janë afruar apo vazhdojnë të mbajnë ende të njëjtin qëndrim sa u takon dy neneve të fundit që kanë ngelur pa miratuar.

Debati në Komision
Armando Subashi:
Nisur nga statistikat që na ka dhënë Ministria e Drejtësisë në 3 vitet e fundit, unë kam bërë një propozim, që gjykatat e shkallës së parë të jenë gjashtë dhe tre gjykata apeli. Përveç kësaj, në propozimin tim kam parashikuar që gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë mundet që në raste të veçanta, proceset gjyqësore ti zhvillojnë jashtë selisë së gjykatave. Në propozimin tim kam parashikuar edhe që ne nuk duhet të harrojmë, por të jemi të kujdesshëm për Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë. Nëpërmjet një dispozite që mund të jetë kalimtare ose të rrijë te neni 4, të parashikojmë një obligim për Parlamentin që sa më shpejt, para se gjykatat të fillojnë veprimtarinë e vet, të zgjidhë në përputhje me ligjin edhe Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë.
Brikena Kasmi (zv.ministre e Drejtësisë): Varianti që ne kemi propozuar është që Gjykata Administrative të organizohet me shkallë të parë në Tiranë dhe me shtrirje në seksione administrative në numër, aq sa janë edhe gjykatat aktuale të apelit. Varianti që ju keni përpara ishte një lëvizje nga seksione administrative në Dhoma. Sipas diskutimit të fundit që kishim, ramë dakord që ndoshta një lëvizje në Dhoma mund të ishte një përshtatje më e madhe e organizimit të gjykatave administrative në përputhje me statistikat e dhëna: numrin e çështjeve administrative në shkallë rrethi, kohëzgjatjen e tyre, të cilat janë punuar tashmë. Ky variant ka gjetur mbështetje, siç ishte ai në vitet 2007-2008, me rastin e shkrirjes së disa gjykatave. Sa i përket pikës 5, ramë dakord që do të ndryshojë varianti i relatorit, ku do të përcaktohet vetëm referenca që do të ketë një Kolegj Administrativ në Gjykatën e Lartë, por pa lënë detyrimin që të përcaktojë numrin aktual të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, pasi kjo është detyrë e ligjit të organizimit të Gjykatës së Lartë, i cili është në proces rishikimi.
Përfaqësuesi i EURALIUS: Ne sot u njohëm me këtë material. Kemi qenë pjesë e diskutimit të ditëve të shkuara dhe, siç e shohim ne, nuk ka ndonjë diferencë apo ndryshim shumë të madh, sepse të paktën biem dakord për numrin e gjykatave që duhet të jetë gjashtë. Do ta shqyrtojmë dokumentin dhe do të sjellim një propozim.
Brikena Kasmi: Në pikën 3 të paragrafit 2 ka një propozim në lidhje me shtimin nga persona jashtë sistemit gjyqësor në masën 10 për qind. Diskutimet e këtij 10 përqindëshi kanë kaluar njëherë kur u diskutua ligji për pushtetin gjyqësor. Në parim do të ishim të idesë që në qoftë se do të vendoset hapja jashtë sistemit gjyqësor, të kishte një hapje më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse edhe për subjekte apo persona të tjerë që i plotësojnë kriteret, dhe konkretisht mund të jenë ata që janë specializuar për dhënien e drejtësisë nëpërmjet Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.
Ilir Rusmali: Kompromis do të thotë, siç është bërë deri tani, të ketë tërheqje dhe mirëkuptim nga pozicionet fillestare. Prandaj, ju lutem shumë, edhe relatorit, edhe Ministrisë, të mund ta zhvilloni me këtë frymë këtë pjesë të projektligjit, sepse është fondamentale për projektligjin. Dhe rrini larg me vite dritë çdo lloj perceptimi klientelist. Nuk kemi nevojë në këtë projektligj për perceptime klienteliste. Nuk na duhet fare fati i ndonjë gjyqtari që është sot aty

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›