E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS, gati për verifikimin e kartave në çdo qendër votimi

Komisioni i Reformës Zgjedhore

Komisioni i Reformës Zgjedhore diskuton sot kapitullin për listat.

Të dy partitë, me audit në Gjendjen Civile për listat.

Dy partitë kryesore janë shumë pranë miratimit të verifikimit elektronik të çdo zgjedhësi në qendrat e votimit. Ky propozim do të diskutohet javën e ardhshme, por ky kusht është përfshirë dhe në kapitullin e listave zgjedhore që Komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore do të diskutojë në mbledhjen e sotme.
Kapitulli i listës së zgjedhësve do diskutohet në parim në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Miratimi final i këtij kapitulli do të varet nga miratimi i kapitullit për sistemin e verifikimit në QV dhe udhëzimit që po përgatitet nga Ministria e Brendshme sipas marrëveshjes, thuhet në dokumentin që disponojnë anëtarët e këtij Komisioni. Por e përfshirë në draftin që do të diskutohet sot për listat zgjedhore, thuhet qartë se këto lista duhet të jenë të gatshme dhe për tu përdorur për verifikim të zgjedhësve në çdo qendër votimi. Një kopje e listës përfundimtare të zgjedhësve në formë elektronike, e ndarë për çdo QV, instalohet në sistemin elektronik të verifikimit dhe regjistrimit të zgjedhësve në ditën e votimit të ngritur në KQZ sipas nenit 101/1. Lista përmban të gjithë përbërësit zgjedhorë të parashikuar në nenin 48 pika 2, germa b e këtij Kodi, thuhet në propozimin e përgatitur nga dy partitë e që pritet të miratohet sot në parim. Zyrat e Gjendjes Civile do të kenë akses të plotë në regjistër, gjë që nuk e kanë deri me sot. Por Komisioni i Reformës Zgjedhore duket se i ka dhënë zgjidhje dhe një kërkese të hershme të opozitës për transparencë në hartimin e listave zgjedhore. Tashmë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të emërojë dy auditë nga dy partitë kryesore, që do të monitorojnë procesin e hartimit të listave në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile. KQZ, jo më vonë se 30 ditë nga dekretimi i zgjedhjeve, emëron me vendim dy auditë për verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Të drejtën e propozimit për secilin audit e kanë respektivisht kryetari dhe nënkryetari i KQZ-së, pas konsultimit me përfaqësuesit e partisë më të madhe të shumicës dhe asaj më të madhe të pakicës në KQZ. Auditët nuk mund të shkarkohen nga detyra, përveç shkeljeve së përcaktuar në pikën 9 të këtij neni. Auditi zëvendësues emërohet jo më vonë se 5 ditë sipas të njëjtës procedurë dhe kriter të përcaktuar në këtë nen, thuhet në draftin e përgatitur nga ekspertët e dy partive kryesore.
Do të jetë KQZ që do të mbikëqyrë procesin e hartimit të listave të zgjedhësve, administrimin e zonave të qendrave të votimit dhe numrit të zgjedhësve për çdo qendër votimi.

Dublimet
DPGjC-ja ka të drejtë ti kërkojë zyrës përkatëse të Gjendjes Civile fshirjen e rekordit zgjedhor të dyfishtë ose të rekordit që nuk përputhet me vendbanimin e regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Procedurat për evidentimin dhe verifikimin përcaktohen me udhëzim të ministrit që mbulon shërbimin e gjendjes civile, duke përdorur të gjitha të dhënat shtetërore sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë dhe bazën e të dhënave të numrave të letërnjoftimeve të shtetasve.

Lista
Kur numri i zgjedhësve të një zone qendre votimi është më i madh se 1000, lista e zgjedhësve ndahet në aq pjesë të barabarta sa qendra votimi ngrihen për atë zonë qendër votimi në përputhje me nenin 62. Listat e ndara u caktohen qendrave në përputhje me numrin rendor të zgjedhësve, ku pjesa e parë i përket qendrës së votimit me numrin bazë. Në këtë rast, programi kompjuterik i RKGjC-së bën ndarjen automatike të listës mbi bazën e numrit të qendrës së votimit të caktuar çdo zgjedhësi.

Propozimet për listat e zgjedhësve
.    Një kopje e listës përfundimtare të zgjedhësve në formë elektronike, e ndarë për çdo QV, instalohet në sistemin elektronik të verifikimit dhe regjistrimit të zgjedhësve në ditën e votimit të ngritur në KQZ.

.    Listat zgjedhore do të jenë produkt i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile.

.    Listat do të publikohen çdo muaj së bashku me çdo ndryshim që nga momenti fillestar 6 muaj përpara zgjedhjeve deri në listën përfundimtare, 40 ditë para zgjedhjeve.

.    KQZ, jo më vonë se 30 ditë nga dekretimi i zgjedhjeve, emëron me vendim dy auditë për verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar
të Gjendjes Civile.

.    Të drejtën e propozimit për secilin audit e kanë respektivisht kryetari dhe nënkryetari i KQZ-së pas konsultimit me  përfaqësuesit e partisë më të madhe të shumicës dhe asaj më të madhe të pakicës në KQZ.

.    Auditët nuk mund të shkarkohen nga detyra përveç shkeljeve të përcaktuara në pikën 9 të këtij neni. Auditi zëvendësues emërohet jo më vonë se 5 ditë sipas të njëjtës procedurë dhe kriter të përcaktuar në këtë nen.

.    Zyrat e Gjendjes Civile do të kenë
akses të plotë në regjistër, gjë që nuk e kanë deri me sot

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›