E Diel, 1 Nëntor 2026

Jozefina Topalli inkurajon nxitjen e bashkëpunimit ekonomik me Japoninë

18-04-2012 / Gazeta 55

Kryeparlamentarja vijon vizitën në Japoni


Vizita zyrtare e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, në Japoni, nisi nga Sendai, qytet, i cili në marsin e një viti më parë u godit nga një tërmet dhe tsunami, fatkeqësi natyrore që shkaktuan qindra humbje të jetëve njerëzore. Kryetarja Topalli u prit në një takim nga zëvendësguvernatori i prefekturës së Miagit,  Masahiro Ëako, i cili shprehu mirënjohjen e qytetit të tij për mbështetjen e treguar nga Shqipëria në atë moment të vështirë për popullin japonez. Kryeparlamentarja u solidarizua me popullin japonez, ndërsa vlerësoi kurajon e vetëpërmbajtjen e treguar nga banorët e zonave të prekura nga tërmeti. Topalli shprehu interesin për shkëmbime vizitash mes dy vendeve, si në nivelin politik, atë parlamentar, biznesin, etj. Duke vlerësuar se kjo vizitë do të ketë një impakt në marrëdhëniet dypalëshe, ajo tha se Shqipëria është një vend i vogël, por me një pozicion strategjik dhe një faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. "Ky vit është i veçantë për vendet tona, pasi shënon 90-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe po ashtu një vit i veçantë pasi Shqipëria kremton 100-vjetorin e pavarësisë së saj", u shpreh kryetarja e Kuvendit. Bashkëpunimi ekonomik, ishte një temë e rëndësishme e takimit, për të cilin Topalli vlerësoi të domosdoshme ngritjen e urave të bashkëpunimit në fusha si bujqësia, turizmi, etj. Nga ana e tij, zëvendësguvernatori i Miagit shprehu interesin e qytetit të tij për intensifikimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, ndërsa pranoi me kënaqësi ftesën për të vizituar vendin tonë.  Në mënyrë të veçantë, Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Japonia ka dhënë ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës. Edhe në takimin me kryetaren e Bashkisë së Sendait, Emiko Okujama, Topalli shprehu solidaritetin për atë çka ndodhi një vit më parë. Duke vlerësuar punën titanike për rehabilitimin e vendit pas tërmetit, ajo tha se, në epokën e globalizmit bashkëpunimi mes bashkive është tepër i rëndësishëm.      Më pas, kryetarja e Kuvendit vizitoi dhe zonën e dëmtuar nga tërmeti i 11 Marsit të vitit 2011, në Higashi Matsushima, ku ritheksoi se autoritetet, por dhe vetë njerëzit, me një punë të palodhur kanë bërë që zona t’i kthehet normalitetit. Në ditën e dytë të vizitës zyrtare, Kryetarja e Kuvendit do të jetë në Tokio, ku do të pritet në takim nga homologu i saj, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Takahiro Yokomichi. Kryetarja e Kuvendit do të takojë Presidentin e Dhomës së Këshilltarëve, Kenji Hirata, si dhe personalitete të tjera të larta të jetës parlamentare e më gjerë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›