“Sulmi Edi Ramës për interkonjeksionin, i sponsorizuar nga interesa korruptive”

Reagon Ministria e Financave
Ministria e Financave deklaroi dje se Kryetari i opozitës Edi Rama, në mënyrë keqdashëse dhe i sponsorizuar nga klientët e tij ka keqinformuar opinionin publik në lidhje me procedurat e tenderit që janë duke u ndjekur për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kv Shqipëri-Kosovë. Ministria e Financave pas negociatave me bankën gjermane KfW në rolin e financuesit ka marrë miratimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për një kredi prej 42 milionë eurosh për financimin e ndërtimit të linjës së interkonjeksitonit prej 400 kv Tirane-Prishtinë. OST është caktuar si agjencia zbatuese për këtë projekt. Gjatë procesit të prokurimit të këtij projekti, Ministria e Financave u vu në dijeni zyrtarisht nga OST për rrezikun e shpalljes fitues të një kompanie e cila kishte ofruar një çmim mbi 30 për qind më të lartë se oferta e kompanisë ndjekëse, e cila po ashtu plotësonte më së miri të gjitha kriteret dhe kërkesat teknike të paraqitura nga OST. Në mbrojtje të interesit publik, vijon deklarata e Ministria e Financave, dhe në plotësim të detyrës ligjore për miradministrimin e fondeve publike, Ministria e Financave i ka kërkuar bankës KfW, e cila, në cilësinë e financuesit ka tagrin ligjor për të zhvilluar procedurat e tenderit, si dhe OST-së që në zhvillimin e këtij tenderi të respektojnë detyrimin ligjor për të orientuar procesin drejt kostos më të ulët. Po ashtu, Ministria e Financave ka këmbëngulur që OST të plotësojë detyrimet ligjore kontraktuale dhe të ushtroje influencën e tij për të mundësuar implementimin e ofertës më të ulët. Çdo përpjekje për të manipuluar këtë të vërtetë është e sponsorizuar nga interesa korruptive. Ministria e Financave siguron publikun që qeveria shqiptare do të mundësoje kryerjen e projektit në kohë, me cilësi, dhe kosto më të ulët.
...