E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimi i OSSH, hapja e ofertave shtyhet 15 ditë

Qeveria ka ndryshuar dje kushtet për privatizimin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë. 

Sipas vendimit, tani kompanitë që do të marrin pjesë në tender, nuk do të garantojnë ofertën e tyre me 10 për qind, por me 5 milionë. “Në nënpikën, ‘Garancia e ofertës’, fjalët ‘… në vlerën 10% të ofertës financiare…’, zëvendësohen me ‘… në vlerën 5 milionë euro…’”. Ndryshimi është themelor, pasi vendosja e garancisë në 10 për qind të ofertës që do të jepnin firmat, mund të zbulojë rrjedhimisht duke e shumëzuar me 10 edhe vlerën e ofertës. Kjo do të cenonte kushtet e tenderit. Me ndryshim e ri, të gjithë konkurrentët duhet të ngrijnë, pra të garantojnë para pjesëmarrjes në tender, 5 milionë euro. Por lajmi për shtyrjen e privatizimit është në pikën e dytë të vendimit. “Në nënpikën ‘Vulosja dhe shënimi i ofertës’, fjalët ‘… Mos të hapet përpara datës 1 shtator 2008…’, zëvendësohen me ‘…Mos të hapet përpara datës 15 shtator 2008…’”. E thënë ndryshe, privatizimi, ose më saktë tenderi do të shtyhet edhe me 15 ditë të tjera. Aktualisht, edhe pse para privatizimit, OSSH po kryen remonte në të gjithë vendin, duke e bërë më tërheqëse për investitorët. Remontet janë arsyeja zyrtare e KESH-it për ndërprerjen e energjisë elektrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›