Emetimi, mbreti Gent është imazhi i prerjes së re 2000 lekëshe
Banka e Shqipërisë ka përzgjedhur më në fund imazhin “misterioz” që do të shoqërojë prerjen e re 2000 lekëshe, e cila do të hidhet në treg duke iu bashkuar kartëmonedhave të tjera. Kjo prerje do të ketë në pamjen e përparme portretin e mbretit ilir, Gent, ndërsa në anën e pasme amfiteatrin e Butrintit. Sipas specialistëve të BSH-së, mbreti Gent është simbol i një periudhe të historisë të papërfaqësuar në kartëmonedha deri tani, dhe është në linjë me trendin kohor sipas vlerave nominale. Prerja e re 2000 lekë do të ruajë strukturën konceptuale të serisë aktuale në qarkullim, duke siguruar vazhdimësinë dhe identitetin e kartëmonedhave shqiptare. Dimensionet e saj do të jenë midis prerjes 1000 dhe 5000 lekëshe. Ndërsa pamja e pasme që identifikohet me Butrintin, sipas drejtuesve të BSH-së, “do të shërbejë si një pasaportë për evidentimin e lashtësisë së kombit tonë, prejardhjes, vlerave kulturore, si dhe paraqet elementet kulturore të mbrojtura nga UNESCO”. Nga historia mësohet se, mbreti ilir, Gent, ishte sundimtari i fundit i shtetit Ilir, i cili u përpoq ta forconte gjendjen e brendshme, si dhe pozitat ndërkombëtare të shtetit të tij. Si sundimtar ai fuqizoi arkën e shtetit dhe preu monedha bronzi me emrin e tij, ndërsa ndaloi prodhimet e monedhave të ndryshme nga qytet e Ilirisë dhe unifikoi monedhën, duke detyruar të gjitha qytetet ilire të përdornin të njëjtën monedhë me portretin e tij, duke i standardizuar në të njëjtën masë e peshë.
BSH hodhi dje për shitje 19.4 miliardë lekë bono thesari
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, publikoi të premten për shitje me ankand 19.4 miliard lekë bono thesari të qeverisë. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankandin e Ministrisë së Financave, që do të zhvillohet më 3 qershor 2008, do të dalin për shitje bono thesari me maturim 12 dhe 6-mujor, të cilat do të përdoren për Bankën e Shqipërisë dhe për bankat e nivelit të dytë. Këto bono do të emetohen respektivisht në datat 04.06.2009 dhe 18.12.2008. Nga totali prej 19.2 miliardë lekësh, 12.9 miliard lekë do të jenë bono me maturim 12-mujor dhe 6.5 miliardë lekë do të jenë bono me maturim 6-mujor.
31 Maj 2008