E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Marrëveshja Rama-Berisha po dëmton sistemin e drejtësisë



Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, akuzoi kryeministrin Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, se me marrëveshjen e tyre po kthehen në pengesë të sistemit të drejtësisë. Prifti i mbështeti akuzat e tij në moszbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila kishte kërkuar heqjen e imunitetit për deputetin Lulzim Basha për shpifjet e tij në drejtim të kryetarit të PS-së, Edi Rama. Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, tha se ky vendim i Gjykatës së Lartë është bllokuar qëllimisht nga ana e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe heshtja e kreut të PS-së Edi Rama për këtë çështje nxirrte qartë në pah marrëveshjen midis tij dhe kryeministrit Berisha. Sipas Priftit, kjo marrëveshje po dëmton rëndë sistemin e drejtësisë. “Ja vendimi i Gjykatës së Lartë dhe i firmosur nga 5 gjyqtarët të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, ku kërkohet nga kjo Gjykatë që Kuvendit t’i jepet autorizimi për hetimin e zotit Lulzim Basha për veprën penale të shpifjes ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, zotit Edi Rama. Kryetarja e Kuvendit prej 6 muajsh e mban të fshehur kërkesën e Gjykatës së Lartë në Kuvend, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Shqipërisë, rregulloren e Kuvendit dhe duke penguar drejtësinë në Shqipëri. Unë çuditem pse Edi Rama nuk e ka kërkuar që Kuvendi të procedojë për zotin Basha. Pse trembet zoti Rama nga kjo akuzë? Pse nuk i ka kërkuar Kuvendit të merret me këtë akuzë? Kam edhe unë të drejta, si çdo shqiptar tjetër, të them që marrëveshja Rama-Berisha e ka bllokuar këtë hetim. E ka bllokuar Gjykatën e Lartë të vazhdojë detyrën që i ka dhënë ligji dhe Kushtetuta. Në qoftë se këta dy njerëz merren vesh për të penguar drejtësinë, këta dy njerëz merren vesh për të shkatërruar çdo gjë tjetër që është e shenjtë në këtë vend. Prandaj është niveli i korrupsionit kaq i lartë, prandaj janë trafiqet e drogës dhe trafiqet e tjera kaq të larta. Sepse Sali Berisha e ka nënshtruar Edi Ramën, partinë më të madhe opozitare në Parlamentin shqiptar”, - tha nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti. Ai kërkoi dorëheqjen e Topallit për këtë shkelje flagrante të Kushtetutës. “Nuk ka krim më të lartë për një kryetare të Kuvendit sesa të pengojë drejtësinë. Kryetarja e Kuvendit duhet të japë urgjentisht dorëheqjen dhe nënkryetarët e Kuvendit duhet ta fusin këtë në seancë plenare”, - tha Prifti.

Reagimi i PS-së

Partia Socialiste ka reaguar ndaj akuzave të LSI-së përsa i përket heshtjes së kreut të PS-së për moszbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, që kërkonte heqjen e imunitetit të deputetit Lulzim Basha për shpifjet në drejtim të Edi Ramës. Zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, i quajti shpifje deklaratat e nënkryetarit të LSI-së Dritan Prifti për këtë çështje. Ajo tha se kreu i PS-së do t’i shkojë deri në fund çështjes së heqjes së imunitetit të deputetit Lulzim Basha. “Edi Rama, pa dyshim, do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje dhe e fton Ilir Metën të kontribuojë për heqjen e imunitetit të Bashës, e jo të rrëshqasë në batakun e politikës së vjetër”, - tha Kodheli.

31 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›