Kapet me makinë të vjedhur në kufi, prangoset 29-vjeçari
Kthehet për pushime nga Anglia, prangoset për trafik mjetesh motorike. Burime zyrtare nga policia e Tropojës bëjnë të ditur se kanë vënë në pranga një 29-vjeçar, të sapokthyer nga Anglia me akuzën e trafikut të mjeteve motorike. Esat Rexha, 29 vjeç, nga fshati Berishë i Tropojës, është arrestuar mesnatën e së hënës, në shtëpinë e vet, pasi gjatë kalimit në pikën e kalimit të kufirit në Qafë-Morinë, është kapur me një makinë, e cila rezulton e vjedhur në Angli. Teksa ai vinte nga Kosova, i kthyer nga Londra ku punon si emigrant, ishte verifikuar në sistemin TIMS të kontrollit të mjetit që ai ngiste, një "Rang Rover" me targa WG08DBX. Mjeti rezultonte të ishte i vjedhur dhe kërkohej nga Interpoli. Fillimisht i riu është lënë të kalojë normalisht traun e kufirit, por afër mesnatës forcat e policisë e kanë vënë në pranga me akuzën e "Trafikut të mjeteve motorike të vjedhura", vepër kjo e parashikuar sipas nenit 141/a të Kodit Penal. I riu ka hedhur poshtë akuzën duke thënë se makina ishte e blerë me dokumente të rregullta, por tashmë i mbetet drejtësisë të vendosë për të. Në Tropojë, në sezonin e shkuar turistik, policia lokale shkatërroi të paktën tri grupe të trafikut të mjeteve motorike, që i sillnin makinat luksoze nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas, që kishin për destinacion tregun lindor. Rasti i 29-vjeçarit është i pari për këtë vit në Tropojë.