E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një far antik për Durrësin

 

Hipoteza e arkeologëve

Seminari i fundit i ciklit “Arkeologji, arkeometri, arkitekturë” mbi gërmimet në amfiteatrin roman të Durrësit, prezantoi për publikun një zbulim të rëndësishëm. Është një sipërfaqe prej 372 metra katrorë, e thellë 4.30 m. Gërmimet që janë zhvilluar aty nga departamenti i Arkeologjisë në Durrës, nën drejtimin e arkeologut Afrim Hoti, janë ndalur si pasojë e rritjes se nivelit të ujit.

Departamenti i Arkeologjisë ka kërkuar mbështetjen shkencore dhe teknike të misionit arkeologjik italian që ka operuar në të njëjtën kohë në amfiteatër. Ekipi i misionit i përbërë nga Sara Santoro, Barbara Sassi, Alberto Monti, Mikele Ferrarini, Mirela Koçollari, Silvia Gregori dhe Robrerto di Febo, ka realizuar një reliev me stacionin e përgjithshëm dhe një përshkrim të dokumentimeve të strukturave të zbulimit të mësipërm dhe në bazë të tyre kanë hedhur një hipotezë të parë e bazuar në kuotat e teknikës dhe tipologjisë së mureve. E gjithë lënda është vënë në dispozicion të Departamentit të Akeologjisë. Strukturat e nxjerra në dritë janë interpretuar si magazina dhe oborre, korridore, urëza dhe kanalizime urbane, mbetje të ambienteve publike të një lagjeje portuale.

Për nga teknika e ndërtimit, struktura datohet e fundit të shekullit IV-III para Krishtit. Është një teknikë që ndryshon shumë nga fortifikimet antike të qytetit.

Lidhja mes magazinave, urëzave dhe sistemeve hidraulike mbështesin hipotezën e arkeologëve zbulimi në fjalë mund të jetë një far.

Faret antike greko-romake të njohura në detin Mesdhe janë pothuajse 100. Burimet e shkruara dhe paraqitjet në pikturë, skulpturë dhe monedha, janë të shpeshta sepse fari është një monument që tregon fuqinë e sundimtarëve po demonstron edhe fuqinë e teknikës dhe teknologjisë ndërtimore.

Deri tani kanë mbetur gjurmë nga rreth 20 fare të njohur. Më i famshmi prej tyre, Fari i Aleksandrisë, që ishte një nga shtatë mrekullitë e botës, ka humbur përgjithnjë. Ai që është ruajtur më mirë ndodhet në La Korunja në Spanjë, dhe këtë vit ka hyrë në listën e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtjen e UNESCO-s. Me këtë rast, në qershor, në një kongres ndërkombëtar ku merrnin pjesë specialistë të fareve antike nga e gjithë bota, u prezantua hipoteza që zbulimi i Durrësit ishte një far. Hipoteza u mbështet nga studiuesit: forma e rrumbullaktë është tipike për Faret e Mesdheut lindor, dhe përqasja më e afërt janë tre faret e ishullit Thasos të epokës greke dhe atij roman të sapozbuluar në Patara në Turqi.

Bashkësia shkencore ndërkombëtare uron që gërmimet e reja me mjete financiare të përshtatshme të mund të konfirmojnë këtë hipotezë shumë tërheqëse dhe të kërkohen të gjitha mjetet për të ruajtur dhe për ta bërë të vizitueshëm nga publiku këtë monument antik kaq të rëndësishëm dhe të çmuar.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›