Emigrantët kthehen në vendet e punës, fluks kalimesh në Kapshticë
Kapshticë- Pas pushimeve të Pashkës Ortodokse, emigrantët shqiptarë kanë nisur të kthehen në vendet e tyre të punës, duke krijuar në këtë mënyrë fluks kalimesh në pikat doganore të vendit.
Sot janë krijuar radhë të gjata në doganën e Kapshticës, pasi numri i personave që dalin nga Shqipëtria është i shumtë. Kjo për shkak se afati përfundimtar i kalimit për personat që kanë toponimet në pasaportë shqip është 12 maji.
Me dhjetra autovetura dhe autobusë kanë qëndruar për më shumë se dy orë në radhë, kjo edhe për shkak të punës së ngadaltë në doganën greke.
Dje pas mesdite pala greke ka punuar vetëm me dy sportele, ndërsa e njëjta situatë po vijon edhe sot, ndërkohë që nuk është marrë asnjë masë, pasi fluksi i kalimeve rritet çdo orë.