Përplasi për vdekje policin Selman Lena, gjykata lë në burg 37-vjeçarin
Tiranë- Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë sot masën e sigurisë arrest me burg për Edmir Kolecin, personi që dyshohet se shtypi me makinë dy efektivët e policisë, njëri prej të cilëve humbi jetën.
Ai akuzohet për vrasjen e policit Selman Lena, si dhe për tentativë vrasje ndaj oficerit tjetër Preng Lleshi.
Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e së shtunës në Kamëz, ku dy policët kishin ngritur një postobllok dhe i kishin bërë thirrje 37 vjeçari të ndalonte automjetin, por ky i fundit nuk ka qëndruar, por i ka përplasur të dy efektivët.
Fillimisht ata u dërguan me urgjencë në spital, por Lena humbi jetën për shkak të plagëve të marra, ndërsa polici tjetër Preng Lleshi u plagos.
Pak orë më pas policia bëri arrestimin e 37-vjeçarit Edmir Koleci, i dyshuar si autori i ngjarjes. Ndërsa është ndaluar edhe 41-vjeçari Shkëlzen Sylaj, pasi ka ndihmuar autorin të largohej nga vendi i krimit duke i dhënë makinën e tij.