Emigrantët mbipopullojnë kapshticën, shfaqen radhët e para
Festa e pashkëve ortodokse që është këtë fundjavë, ka sjellë dhe emigrantët e parë në Kapshticë. Vetëm në 24 orët e fundit kanë hyrë nëpërmjet kësaj pike kalimi rreth 5 mijë emigrantë me 1300 mjetet, ndërkohë që fluksi është duke u rritur në çdo moment. Sipas komandantit të kësaj pike kalimi, Dritan Shema, policia kufitare ka marrë të gjitha masat për të përballuar një fluks edhe më të madh, por dhe për të evituar radhët e gjata që krijohen sa herë që ka dyndje emigrantësh me raste festash.
Kalimet ndërkufitare të emigrantëve kanë nisur gjatë fundjavës që shkoi ndërsa gjithsej nëpërmjet kësaj pike kalimi kanë hyrë rreth 20 mijë emigrantë shqiptarë, numri i të cilëve pritet të jetë disa herë më i lartë deri në vigjilje të festës së Pashkëve. Policia shqiptare ka rritur menjëherë numrin e sporteleve për të përballuar fluksin duke e çuar në 5 numrin e tyre vetëm për hyrjet nga Greqi në Shqipëri, ndërsa dhe pala greke nga ana e saj e punon me dy sportele për daljet nga shteti grek. Gjatë të hënës në tokën greke ka patur radhë të gjata, më shumë se 1 kilometër, ndërkohë që emigrantëve shqiptarë iu është dashur të presin më shumë se një orë në kufirin e shtetit fqinj deri sa kanë kryer procedurat dalëse. Situata më e qetë është paraqitur në anën shqiptare. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë shqiptare në Kapshticë pritet që në mesjavë të ketë një fluks shumë të madh, ndërsa piku i hyrjeve pritet të jetë në fundjavë atëherë kur është dhe festa e madhe e Pashkëve.