E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provincialët e Minarollit vijojnë në ekranin e kinemasë

Vetëm disa ditë pas premierës dhe filmi Kronikë Provinciale, duket se tashmë e ka bërë jehonën  e tij si një prodhim i ri premierë, për të cilin është ngjallur dhe kureshtja e publikut. Filmi po vijon të shfaqet në ekranin e kinemasë, i cili vjen si bashkëpunim mes regjisorit Artan Minarolli dhe skenaristit Ylljet Aliçaj. Filmi për të cilën nisën xhirimet gati katër vjet më parë në rolet protagoniste ka një kastë të njohur aktorësh, që nga Robert Ndrenika, Fadil Hasa, Birçe Hasko, Aleko Prodani, Mirush Kabashi, Margarita Xhepa, Ndriçim Xhepa, Arta Dobroshi, Tedi Papavrami etj. Subjekti i filmit i vendos ngjarjet në qytetin e Beratit. Jeta në këtë qytet mes thashethemeve e përditshmërisë të personazheve, sjell edhe violinistin Tedi Papavrami, si një djalë i cili ka studiuar për pikturë jashtë vendit, në Francë. Filmi i cili është premiera e parë për këtë sezon pranveror ka si producente Loreta Mokinin. Filmi vjen me një zhanër komedie, që sipas regjisorit i përshtatet. Filmi Kronikë provinciale trajton dukuri të rilindjes sociale, shpirtërore e politike të tranzicionit postdiktatorial në një qytet provincial në jug të Shqipërisë, që jeton në thjeshtësinë, në përditshmërinë, në meskinitetin dhe madhështinë e tij. Regjisori Artan Minarolli është autor i disa filmave artistikë, mes të cilëve 100% (1994), Plumbi prej plasteline (1995), Nata pa hënë (2001), Kronikë provinciale (2009), Gjallë (2009). Është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare. Pas premierës së filmit Kronikë Provinciale, në muajin qershor do të shfaqet edhe premiera e filmit të tij më të fundit Gjallë. Violinisti Tedi Papavrami vjen në këtë rol, pasi ka interpretuar një tjetër rol në filmin francez "Lidhje të rrezikshme", përkrah aktores së njohur Katrin Dënëv. Muzika është kompozuar nga Fatos Qerimi. "Kronikë Provinciale" është produksion i "Albimazh"- Loreta Mokini (Shqipëri), "8 et Plus"- Didier Couedic (Francë), "Revolver" - Paolo Maria Spina (Itali), i realizuar me financimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Fondin e Jugut të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës. Filmi "Kronike Provinciale" u prezantua në kinematë e qendrës tregtare Cristal Center, ku aktualisht vijon dhe të shfaqet. Filmi do të vazhdojë të shfaqet për publikun në ditët në vazhdim në dy sallat e kinemave. Premiera e filmit Kronikë Provinciale sjell një ngjarje të një province shqiptare, ku një djalë i ri, i cili është piktor, kthehet nga Franca në shtëpinë e tij. Është pikërisht Tedi Papavrami ai që vesh petkat e këtij personazhi. Menjëherë pasi kthehet në atdhe, në vendin e tij të lindjes, një qytet i vogël do të përballet me realitetin aty, i cili do të ndikojë e do ta përfshijë atë në ngjarjet e tij. Pasi rehabilitohet, ai kërkon që të ushtrojë profesionin e tij, për të cilin ai kishte studiuar jashtë shtetit, atë të piktorit. Por pikërisht këtu fillon historia. Ai përballet me shumë probleme, në të njëjtën kohë ai njihet me një vajzë, (interpretuar nga Arta Dobroshi), të cilën e dashuron por që dashuria e tyre pengohet në shoqërinë ku ata jetojnë.  

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›