E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Emigrantët mund të kalojnë kufirin me pasaportat e vjetra”

17/08/2009  Policia e Shtetit qetëson emigrantët që të mos nxitohen për aplikimet nëse s kanë mundësi

TIRANË- Policia e Shtetit ka reaguar pas problemeve dhe radhëve gjatë procesit të pajisjes me pasaportat biometrike. “Nuk është e nevojshme pajisja me pasaporta biometrike për të kaluar kufirin” thuhet në deklaratën e policisë. Gjithashtu Policia e Shtetit thotë se nuk është e nevojshme pajisja me pasaporta biometrike për të kaluar kufirin jashtë Shqipërisë. Mjafton që emigrantët që kthehen për në vendet ku jetojnë dhe punojnë të jenë të pajisur me pasaporta të vjetra por ato të jenë brenda afatit.

Këtë njoftim e ka përcjellë dje për mediat policia e shtetit. Reagim që vjen pas disa problemeve të shkaktuara nga radhët e gjata në disa rrethe të vendit, ku emigrantët presin të pajisen me karta apo pasaporta biometrike. Probleme të tilla ka pasur në Fier, Gjirokastër, por edhe në Shkodër ku një ditë më parë u organizua dhe një protestë.

Policia e shtetit njofton se nëse pasaportat e vjetra që posedojnë emigrantët do të jenë të vlefshme, pra brenda afatit, nuk do tu krijohet asnjë problem në pikat e kalimit kufitar. Sakaq, muaji gusht ka rikthyer radhët në zyrat e aplikimit për kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Bëhet fjale kryesisht për emigrantë që kanë ardhur me pushime, e që e kanë shfrytëzuar këtë periudhë për t’u pajisur me dokumentet e rinj të identifikimit. Deri më tani rreth 100 mijë shtetas janë pajisur me pasaportën e re, një dokument që shumë shpejt do të jetë i vetmi për të udhëtuar jashtë Shqipërisë, pasi me liberalizimin e vizave pasaportat e vjetra dalin jashtë funksionit.

Deklarata e Ponit

Pritet që numri i aplikuesve për pasaportën e re të rritet në shtator, me mbarimin e sezonit të pushimeve. Pajisja me pasaportat biometrike është kushti i mbetur që Shqipëria të përfitojë nga lëvizja e lirë. Pak ditë më parë edhe zv/ministri i Brendshëm Ferdinand Poni sqaroi procedurat për pajisjen e emigrantëve me pasaportat e reja. Poni shtoi gjithashtu se këta emigrantë nuk e kanë të detyrueshme aplikimin e menjëhershëm me pasaportat e reja, por nëse kanë mundësi mund të paraqiten për ta shfrytëzuar kohën e pushimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›