E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret, sivjet më pak raste

17/08/2009  PMNZSH kontroll impianteve kundër zjarrit

Impiantet dhe masat kundër zjarrit kanë qenë objekt më vete gjatë dy muajve të fundit të specialistëve të PMNZSH-së në Durrës. Parandalimi i rënies së zjarreve dhe shmangia e fatkeqësive njerëzore dhe materiale ka shtyrë shërbimin e emergjencave civile të kalojë nën kontroll të fortë çdo lokal shërbimi apo edhe linjë prodhimi. Këtë vit numri i rasteve të rënies së zjarreve në qarkun e Durrësit ka shënuar rënie krahasuar me një vit më parë. Edhe pse temperaturat e mjedisit kanë qenë të larta duke arrirë deri në 41 gradë, reparti i zjarrëfikësve ka pasur më pak punë. Shefi i këtij shërbimi në Durrës, Ethem Bardhi, ka pohuar se që nga fillimi i sezonit të verës dhe deri në fund të javës së dytë të muajit gusht janë shënuar vetëm 6 raste të rënies së zjarrit që kanë kërkuar ndihmën e mjeteve zjarrëfikës. “Përgjithësisht zjarret kanë rënë në ara me të korra apo edhe në disa objekte të braktisura”, - ka pohuar Bardhi. Problem për këtë shërbim janë zonat e thella në Krujë ngase mungon infrastruktura rrugore në pjesët malore. Në dy raste të rënies së flakës në pyjet e Krujës, zjarri është shuar nga banorë të zonës. Shefi i shërbimit zjarrëfikës në Durrës ka theksuar se këtë vit bashkëpunimi në njësitë e qeverisjes vendore ka qenë në nivelet e duhura. “Prefektura ka nxjerrë një urdhëresë e cila detyron kryetarët e komunave dhe të bashkive të bashkëpunojnë me repartet tona në shuarjen e flakëve”,-është shprehur Bardhi. Në Ishëm, Cudhi, Bunq, Manëz të gjitha rastet e konstatuara të rënies së zjarrit njësitë vendore janë vetorganizuar dhe kanë mundur të izolojnë terrenin e përfshirë në flakë para se në vendngjarje të shkojnë mjetet e shuarjes së zjarrit. Qarku i Durrësit ka shërbim zjarrëfikës në Durrës, Krujë, Fushë-Krujë, Plazh, Shijak e Manëz. Një ndihmë të veçantë në rastet e emergjencave kanë dhënë edhe dy mjetet e reja zjarrëfikëse të portit të Durrësit, repart i cili ka vendosur bashkëpunim të plotë e të rregullt me shërbimin zjarrëfikës të Durrësit. Shefi i shërbimit ka bërë të ditur se salla operative e zjarrfikësve shërben 24 orë dhe se 2 mjete depozita të mbushura si dhe një mjet i tretë me solucion të përgatitur me shkumë për shuarje zjarri janë në gatishmëri të plotë. Nga ana tjetër reparti i PMNZSH-së ka ruajtur sasinë e duhur të ujit në rezervuarin e saj. “Katër mjete kanë kaluar në shërbimin kapital para fillimit të sezonit të verës”, - ka deklaruar shefi i shërbimit në Durrës. Një masë e tillë ka ndikuar në përgjigjen në kohë për të gjitha rastet duke ulur në mënyrë të ndjeshme edhe kohën e ndërhyrjes.

Xh. Gradica

Ulja e numrit

“Në dallim nga vitet e mëparshme, sivjet çdo sinjal për rënie zjarri në lagje, apartamente e biznese vë në lëvizje grupin operativ të zjarrfikësve, policisë dhe shërbimit shëndetësor për të afruar emergjencë të plotë dhe të kualifikuar”, - ka thënë shefi i shërbimit zjarrëfikës Ethem Bardhi. Një ditë më parë zjarrëfikësit shuan tek Shkëmbi i Kavajës flakët që kishin kaplluar një sipërfaqe tokë prej më shumë se 2-3 dynym.

Jo me qëllim

Përgjithësisht zjarret që kanë rënë në qarkun e Durrësit kanë qenë aksidental apo të shkaktuara nga energjia elektrike, ndërsa nuk është shënuar asnjë zjarrëvënie e qëllimtë. Nga ana tjetër në gjysmën e par të këtij viti si dhe në dy muajt e verës së sivjetme nuk ka pasur asnjë viktimë apo të lënduar nga zjarret. Kreu i PMNZSH-së ka pohuar gjithashtu se ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e rasteve të zjarrrënies kanë pasur edhe masat mbrojtëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›