E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i makinave, kapet në port 33-vjeçari italian

Gjykata e Tiranës e kishte dënuar 5 vite burg në mungesë, për trafikim të mjeteve motorike. Arrestimi i tij është bërë në momentin që po zbriste nga trageti. 

TIRANE-- Ishte dënuar në mungesë me 5 vite burg në muajin janar 2005 nga Gjykata e Tiranës, për trafikim të mjeteve motorike, por vetëm dje në mëngjes është bërë e mundur kapja e tij në momentin që po zbriste nga trageti.

Sipas drejtuesve të policisë së Durrësit, në orën 09:00 të ditës së hënë, forcat e Komisariatit të Policisë në portin e Durrësit realizuan kapjen e 33-vjeçarit Alessandro Lattanzi, lindur e banues në Teramo të Italisë.

Lattanzi rezultonte në listën e personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare. "Ndalimi u bë pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me një shkresë që mban datën 12 janar 2009, ka dërguar urdhrin e ekzekutimit të vendimit penal të Gjykatës së Tiranës, e cila e ka dënuar me 5 vjet burg për veprën penale të trafikimit të mjeteve motorike", - shtojnë burimet e policisë. Mësohet se 33-vjeçari italian është dënuar, pasi në kohë të ndryshme ka hyrë në territorin shqiptar nëpërmjet portit të Durrësit, me automjete të cilat i ka shitur pa paguar taksën doganore.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›