E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigrantët në Itali. “Presidenti të thotë ndonjë fjalë për ne, që kemi një mijë probleme e peripeci”



Habjon Hasani

Tiranë - Mediat italiane kanë raportuar dje disa reagime të komunitetit shqiptar në Itali lidhur me vizitën e presidentit Bamir Topi në Itali, pjesë e së cilës ishte dhe shfaqja e Topit në Festivalin e Sanremos. Mediat italiane kanë pasqyruar reagimin e një grupi emigrantësh, të cilët kanë shprehur vërejtjet e tyre lidhur me këtë vizitë të presidentit dhe mënyrës se si u zhvillua ajo. “Presidenti Topi duhet të heqë dorë nga udhëtimet luksoze, në hotele luksoze, në dreka e darka luksoze. Presidenti, përpara se të dalë e të flasë për përparimet e Shqipërisë dhe mbresat e tij në Sanremo, të paktën bën mirë që të thotë ndonjë fjalë për emigrantët e ardhur në Itali nga vendi i tij, të cilët kanë një mijë probleme e peripeci. Probleme që burojnë edhe nga shërbimi ynë skandaloz në Ambasadë. Shqipëria është një vend me shumë varfëri dhe me shumë probleme, presidenti ynë mund të qëndrojë e ta ndjekë Sanremon edhe nga shtëpia, por ama të jetë në Shqipëri e të flasë për zgjidhjen e këtyre problemeve, pasi ende kemi shumë për të zgjidhur në vendin tonë përpara se të merremi me Sanremon”, - mësohet të jenë shprehur një grup emigrantësh për disa agjenci italiane informacioni.
Vizita
Vizita e presidentit shqiptar në Itali është shoqëruar me takime të shumta me personalitete nga të gjitha fushat. Duke folur për pritshmërinë e kësaj vizite në Xhenova, presidenti Topi theksoi se këto marrëdhënie do të intensifikohen edhe më tej, sidomos me Ligurian, duke pasur parasysh afërsinë gjeografike, lidhjet e hershme historike e kulturore dhe shkëmbimet gjithnjë e në rritje ekonomike. Kreu i shtetit shqiptar zhvilloi një takim edhe me përfaqësues të shumtë të bashkësisë shqiptare në Itali, që jetojnë në Xhenova dhe në Liguria, bashkësi e cila arrin deri në tetëmbëdhjetë mijë veta. Përfaqësuesit e kësaj bashkësie kanë biseduar gjatë me Topin, duke u ndalur e interesuar mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri, reformat e kryera dhe arritjet e vendit tonë në proceset integruese. Në mbrëmjen e djeshme, presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, ishin të ftuar nga autoritetet më të larta të Ligurias dhe i mirënjohuri drejtues Artistik, Paolo Bonolis, në teatrin “Ariston”, për të ndjekur natën finale të Festivalit të Këngës së Sanremos, i cili ka mbërritur në edicionin e tij të 59-të.
Premtimi
Gjatë vizitës së tij në Itali, presidenti Bamir Topi bëri dhe një deklaratë “surprizë” kur deklaroi se Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Europian brenda vitit 2012. “Brenda 2012-s Shqipëria do të hyjë në Bashkimin Europian. Reformat që po kryen vendi japin këtë siguri”, - është shprehur presidenti Topi. Sipas tij, fakti që pas një muaji Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO, jep siguri edhe për anëtarësimin e saj në BE. Pas një muaji Shqipëria do të hyjë me të drejta të plota në NATO. Çka do të thotë se vendi ofron të gjitha mundësitë ekonomike, por edhe garanton dhe të drejta për të gjithë rajonin e Ballkanit”, - theksoi Topi për agjencinë italiane të lajmeve, ANSA. “Reformat e ndërmarra politike japin siguri se ditë pas dite mund të hyjmë me të gjitha të drejtat në komunitetin europian”, - shtoi presidenti. Gjatë vizitës në Itali, presidenti Topi u shpreh se Shqipëria është në fazë tranzicioni, por gjasat janë pozitive dhe shqiptarët janë të sigurt në qëllimin e tyre për anëtarësimin në strukturat evropiane.

24 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›