Inva Mula, live në TOB për 10-vjetorin e “SIGAL”
Zëri i sopranos së madhe Inva Mula mbushi mbrëmë skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Ishte kompania e sigurimeve “Sigal”, e cila duke dashur të festojë 10-vjetorin e krijimit të saj në një mënyrë krejt të veçantë, ftoi sopranon për një koncert recital. Duke i sjellë publikut kryeqytetas një surprizë të veçantë, por edhe duke sjellë një kulturë të festuari ndryshe. Në jetën e kompanisë “Sigal”, ky 10-vjetor nuk do të harrohet lehtë. E shoqëruar nga “Cammerata e Tiranës”, nën drejtimin artistik të violonçelistit Arben Skënderi dhe harqeve të Orkestrës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Inva Mula, solli një program të pasur. Disa nga pjesën që u interpretuan live nga sopranoja ishin aria e Paminës, shkëputur nga opera gjermane e Moxartit, “Flauti magjik”, një arie nga opera “Romeo dhe Zhulieta” e Gunosë, aria e Liu-së, nga e opera e Puçinit, “Turandot”. Nga krijimtaria shqiptare, Mula kishte zgjedhur një pjesë familjare për të, arien e Boranës, nga opera “Borana”, e kompozuar nga i ati, Avni Mula, si edhe jaren e njohur shkodrane “Jasaman asaj furie”, mbi bazën e orkestrimit të kompozitori Çesk Zadeja. “SIGAL” është themeluar në 22 shkurt ‘99 dhe aktualisht është kompania më e madhe në tregun e sigurimeve shqiptare. Zotëron 27% të tij dhe ofron shërbime në të gjitha fushat. Drejtori i saj, Avni Ponari firmosi dy vjet më parë shitjen e një pjese të aksioneve për “UNIQA GROUP AUSTRIA”, kompania më e njohur në Evropën Qendrore. Përfaqësuesit e kësaj të fundit mbrëmë i dorëzuan Ponarit një dhuratë shumë të veçantë. Shpatën origjinale të një admirali të famshëm austriak.