Plaçkitën banesën e një qytetari, prangosen tre adoleshentët
Shkodër – Tre adoleshentë janë gjendur përgjegjës për plaçkitjen e një banese të një shtetasi në Shkodër. Burime policore informuan për gazetën “Albania” se janë ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, Elfat S., 16 vjeç, lindur në Tetovë, Maqedoni dhe banues në Shkodër; Kujdes Selimi, 18 vjeç, lindur e banues në Shkodër; Mikael K., 15 vjeç, banues në Shkodër. “Ndalimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me 17-vjeçarin Arlind D., për të cilin është bërë shpallja në kërkim, rreth orës 14:30 të dy ditëve më parë, në lagjen ‘Tom Kola’, Shkodër, kanë vjedhur në një banesë private disa materiale”, - deklaroi policia. Kapja e tyre u bë e mundur si rezultat i një pune operacionale nga efektivat e Drejtorisë së Policisë Qarkut në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe ata përballen me akuzën e “vjedhjes së kryer në bashkëpunim”.
Adoleshentët përleshen me thika, një përfundon rëndë në Spitalin Ushtarak
Durrës – Pas një grindjeje për motive të dobëta me njëri-tjetrin kanë përfunduar te goditjet me thika. Kaq ka mjaftuar që njëri nga dy adoleshentët të përfundonte në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak. Ngjarja ka ndodhur në Durrës, mes E. G, i lindur në Dibër e banues në fshatin Arapaj dhe 17-vjeçarit A. K., banues në Lagjen e Plazhit. Sipas të dhënave policore, A. K. ndodhet aktualisht në Spitalin Ushtarak të Tiranës në një gjendje mjaft të rëndë shëndetësore. Forcat e policisë kanë bllokuar në cilësinë e provës materiale thikën me të cilën autori ka kryer veprën penale.
I trishtuar nga vdekja e gjyshes përfundon në spital me mbidozë ilaçesh
Durrës – Disa ditë më parë i kishte vdekur gjyshja dhe duket se 18-vjeçari s’ka mundur ta kalojë lehtë ndarjen me të. Nga trishtimi ka përdorur një sasi të konsiderueshme medikamentesh dhe menjëherë është dërguar në Spitalin Ushtarak për të marrë ndihmë mjekësore. Kjo ka ndodhur me 18-vjeçarin A. P. nga Durrësi dhe lajmi bëhet i ditur për gazetën “Albania” nga uniformat blu të këtij qyteti. Të njëjtat burime saktësuan se nga veprimet e para hetimore rezulton se shtetasi i sipërpërmendur ka përjetuar një gjendje të rënduar psikologjike, shkak i së cilës mendohet të jetë humbja e gjyshes disa ditë më parë. Ai ka konsumuar të gjitha medikamentet që përdorte gjyshja e tij, gjë që ka çuar në rëndimin e gjendjes së tij shëndetësore.
24 Shkurt 2009