E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i organeve, Serbia kërkon nga Tirana hetim të ri

 

Serbia do të kërkojë nga Tirana zyrtare hetim mbi akuzat e përfshirjes së trafikut të organeve të disa serbëve të Kosovës gjatë konfliktit të vitit 1999 me Kosovën. Deklaratën e ka bërë një zyrtar serb për agjencinë “Reuters”. Sipas tij, pas refuzimit të parë nga pala shqiptare, prokurorët serbë kanë kryer hetime të tjera dhe do të paraqesin një tjetër kërkesë zyrtare tek autoritetet shqiptare mbi supozimet se rreth 300 serbë të marrë peng nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë çuar në një mal pranë një fshati të Burrelit dhe u kanë marrë organet e brendshme për trafik, e më pas i kanë vrarë. Serbia pretendon se në Burrel ekziston edhe një varrezë masive, e cila ka trupat e serbëve të vrarë në atë kohë. E gjithë meseleja që ka përfshirë akuza të ndërsjella mes Kosovës e Serbisë, por ka përfshirë edhe Shqipërinë, ka nisur me publikimin e librit të Karla del Pontes, ish-kryeprokurores së Hagës, e cila ka publikuar kujtimet e saj, ku pretendon se ka pasur informacione të besueshme mbi vërtetësinë e kësaj ngjarjeje, por nuk ka mundur të hetojë për pamjaftueshmëri provash. Pas kësaj deklarate kanë reaguar si autoritetet serbe ashtu edhe ato të Prishtinës. Prishtina zyrtare e ka akuzuar Del Ponten për mashtrim, ndërsa Beogradi ka hapur një çështje ligjore kundër saj për indiferencë mbi një krim të tillë. Në tetor 2008, Prokuroria e Përgjithshme shqiptare e refuzoi kërkesën e Serbisë për të kryer një hetim mbi deklaratat e bëra nga ish-kryeprokurorja e Hagës. Prokurorët shqiptarë deklaruan se autoritetet vendase dhe një hetues i Kombeve të Bashkuara e kanë kryer një hetim mbi këtë çështje dhe nuk kanë gjetur prova. “Ne kemi prova të reja që tregojnë atë që ka ndodhur në veri të Shqipërisë dhe do të dërgojmë një tjetër kërkesë zyrtare për hetim në Shqipëri”, tha Bruno Vekariç, zëdhënës i Prokurorisë së Krimeve të Luftës në Serbi. Sipas Vekariç, autoritetet e Prokurorisë serbe të Krimeve të Luftës do ta paraqesin provat në Këshillin e Evropës, Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Serbët pretendojnë se kanë siguruar një set fotografish nga zyrtarë ndërkombëtarë që kanë shërbyer në Kosovë, ku tregohen anëtarë të UÇK-së që kanë luftuar kundër serbëve në vitet 1998-1999, në rajone të veriut të Shqipërisë. Sipas Vekariç, kjo ka lidhje me atë që ata besojnë se ka ndodhur. Në librin e Del Pontes thuhet se në vitin 2004, hetuesit e OKB-së kanë mbikëqyrur një shtëpi të një familjeje në veriun e Shqipërisë, ku thuhet se janë kryer operacionet për heqjen e organeve të serbëve të Kosovës në vitin 1999. “Ata thanë se kishin zbuluar gjurmë gjaku, fasha dhe shiringa por fshatarët, të ndihmuar nga prokurorë shqiptarë, i kanë ndaluar ata të hetojnë më tej”, citon Del Ponte.

Haradinaj, gati për ndërmjetës në Ugandë

Ish-kryeministri i Kosovës, njëkohësisht kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka shprehur gatishmërinë për të ndërmjetësuar në dialogun mes të Qeverisë së Ugandës dhe Forcave Demokratike Aleate në Ugandë. Lajmi është publikuar në disa media vendore dhe ndërkombëtare dhe Haradinaj deri më tani kishte heshtur mbi vërtetësinë e tij. Haradinaj ka deklaruar se preferon që për këtë çështje Qeveria e Ugandës dhe Forcat Demokratike Aleate të Ugandës (ADF) të deklarohen vetë, ndërsa ai vetë është i gatshëm të ndihmojë në këtë proces për arritjen e paqes. Lajmi doli nga “France-Press”, e cila citoi se emri i zotit Haradinaj është propozuar nga rebelët myslimanë në Ugandë, për të ndërmjetësuar në bisedimet paqësore me qeverinë në Kampala. Zëdhënësi i Forcave Demokratike Aleate, Assad Mukasa pati thënë se “kanë zgjedhur Haradinajn për shkak të përvojës së tij”. Ministri i Punëve të Brendshme në Uganda, Matia Kasaija është shprehur dakord mbi këtë përzgjedhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›