Emigrantët në Itali tani me patenta shqiptare
Emigrantët që kanë patenta shqiptare, mund të lëvizin lirshëm edhe në Itali. Ministria e Transporteve njoftoi dje se “Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, për konvertimin e lejeve të drejtimit të automjeteve”, nënshkruar më 27 Tetor 2008, do të hyjë në fuqi më 15 Gusht 2009. Sipas këtij pakti, përfituesit kryesorë janë emigrantët shqiptarë në Itali, si dhe për të gjithë drejtuesit e mjeteve, të cilët shkojnë për qëndrim provizor në shtetin fqinj. Në bazë të marrëveshjes, shqiptarët që janë rezident në Itali, ose ata që shkojnë për studime ose qëndrime të gjata, u njihet e drejta të përdorin për 1 vit patentën shqiptare dhe pas një viti ajo mund të konvertohet pa pagesë automatikisht me patentën italiane. Kjo është në mënyrë reciproke, pra kur shqiptarët ose italianët kanë patentë italiane, u njihet e drejta e konvertimit dhe përdorimit. Shqiptarët që kanë më shumë se tre vjet që jetojnë në Itali, por që nuk kanë mundur të marrin patentën italiane, dhe disponojnë patentën shqiptare, u njihet e drejta e konvertimit pa kryer kurset e autoshkollave. Kjo me kusht që të japin një provë mbi aftësitë dhe shprehitë e drejtimit të automjetit. Njohja reciproke apo konvertimi i leje-drejtimit shqiptare me leje-drejtimi italiane ndihmon dhe për të gjithë drejtuesit e automjeteve profesionistë shqiptarë, të cilët janë në emigracion në Itali, (që disponojnë kategoritë B, C, D, D+E). Këta do të përfitojnë shumë në kohë, pasi marrja e të gjitha kategorive të lejes së drejtimit italiane, bazuar në legjislacionin italian, kërkon plotësimin e intervaleve kohore nga një kategori në tjetrën, kohë e cila është 2-3 vjet. Njohja reciproke e patentave nënkupton mospërdorimin e mëtejshëm të patentave ndërkombëtare. Numri i përdoruesve që shkojnë në Itali të kësaj patente për vitin 2007 ka qenë mesatarisht rreth 26.000, ndërsa për vitin 2008 ka qenë rreth 16 mijë. Marrëveshja parashikon shumë procedura lehtësuese, për sa i përket marrjes së dokumenteve të vërtetësisë, duke eliminuar endjet dhe shpenzimet suplementare në zyrat tona konsullore, por do të tërhiqen drejtpërdrejt nga zyrat e Motorizacionit Civil.