E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: Tre pikat e platformës sime në Kongresin e PS

 

Anëtari i Asamblesë, Ben Blushi, i bën sërish thirrje kryetarit Edi Rama të mos kandidojë në kongresin e 29 gushtit për postin e kreut të kësaj partie. Në një intervistë në Ora News, në emisionin “Ora e debatit”, kandidati i mundshëm për kreun e partisë më të madhe të opozitës, tregon tre pikat e programit që do të paraqesë në kongres teksa shton se mungesa e ofertës për Metën pas zgjedhjeve të 28 qershorit, i hoqi PS-së mundësinë për të kërkuar zgjedhje të parakohshme.
Çfarë bëtë ju në ato momente, kur mësuat se Rama nuk vuri emrin e vet në listë?
Unë nuk mund të reagoja sepse ishte vendim personal, të cilin e pranuam në heshtje. Nëse një muaj para zgjedhjeve do kishim bërë debatin që bëmë sot, mund të kishte pasur efekt dëmtues më shumë në fushatë. Njerëzit në këto katër vite kanë thënë pse nuk flisni. Edhe tani më thonë pse flet. Para zgjedhjeve nuk flisnim sepse kishim frikë se dëmtonte fushatën tonë dhe kjo ishte një zgjedhje me koshiencë. Por kur folëm pas zgjedhjeve, kur rezultati kishte dalë dhe ne nuk kishim fituar, prapë thanë pse nxitoheni. Po kur duhet të flasim ne? Kur të mbarojnë pushimet? Problemi nuk është se nuk folëm ne, por cilësia e vendimit për të mos kandiduar. Nuk e them dot se çfarë efekti pati. Nuk ka masë kjo gjë. Por mund të ketë shtuar pasigurinë për zgjedhje. Para zgjedhjeve, komisionerët tanë kanë lënë punën më 28 qershor dhe pas zgjedhjeve PD i ka listuar dhe sot janë të gjithë të hequr nga puna. Nga këta komisionerë, pse nuk tha asgjë kryetari i partisë? Komandanti i ushtrisë sonë duhet të sakrifikonte i pari. Nuk kam arsye të them, po të isha shumë negativist edhe mund të thosha që Rama është përgatitur më shumë për të humbur se sa për të fituar. Kjo që po ndodh pas 28 qershorit tregon se ka qenë më shumë i përgatitur për të humbur se për të fituar, por s’po shkoj kaq larg. Fakti që nuk dha dorëheqjen nga bashkia, do të thotë që ka menduar...
Do t’i përmbaheni deklaratës se nëse Rama do kandidojë, ju do tërhiqeni?
Unë se kam bërë këtë deklaratë. Këtë s’e kam thënë dhe s’kam ndërmend ta them. Nëse më pyesni a duhet të rikandidojë Edi Rama, unë do të them jo. Kjo për shkak të statutit dhe e dyta për shkak të një precedenti që ne e kemi në vitin 2005 dhe s’kemi arsye ta shkelim dhe e treta për shkak se projekti i tij ka dështuar dhe nuk ka çfarë projekti tjetër i ofron PS-së.
Si është e mundur që në qytet fiton PS dhe në fshat fiton PD?
Në thelb mbetet oferta e pamjaftueshme që kemi dhënë apo që japim, oferta e pamjaftueshme që i kemi dhënë të varfërve përreth qyteteve, ata që kanë braktisur male apo zona të thella dhe kanë ardhur në periferi të qyteteve me një shpresë se do gjejnë punë apo se do kenë një shkollë të mirë për fëmijët, apo ata që i kanë ikur mungesës së ujit apo punës atje ku kanë qenë. Përgjithësisht këta njerëz kanë votuar djathtas. Për sa kohë të jetë Berisha, vota e PD-së në veri do vazhdojë të jetë e fortë. Si ka mundësi që votojnë djathtas? Ne atyre nuk u kemi dhënë ofertën e duhur. Fshati ka votuar djathtas në 2007 dhe 2009. Ne erdhëm në 2007, ne kishim 200 komuna dhe PD 100, është kthyer me kokë poshtë, sot ka PD dhe e djathta 200 komuna dhe ne kemi 100. Fshati në dy zgjedhjet e fundit ka votuar djathtas. Ne kishim një program të mirë për fshatin, por mesa duket nuk mjaftoi.
Çfarë përmban platforma juaj?
Janë tre elemente ku ne do investojmë në këtë kongres: së pari demokratizimi i Partisë Socialiste, duke i dhënë më shumë fuqi forumeve me ndryshime statutore. Ne do kërkojmë të ndryshojmë disa elementë të statutit për të cilët besojmë se mund t’i japë më shumë fuqi vendimmarrjes brenda PS-së, për të mos u kritikuar se pse flet vetëm një njeri dhe nuk flasin forumet e PS-së. Së dyti është cilësia e PS në opozitë, çfarë opozite do bëjmë ne, çfarë raportesh do kemi me qeverinë në fuqi, sa pragmatist dhe sa qëndrestar do jetë grupi parlamentar dhe nëse këto rregulla zbatohen dhe ka një nocion që mund ta ndajnë të gjithë bashkë dhe dalim në një kongres me këtë frymëmarrje grupi parlamentar do të jenë më i motivuar dhe nuk ka asnjë arsye të ketë shizma në perspektivë. E treta është një korrektim i doktrinës së PS-së. PS nga përtej të majtës dhe të djathtës vjen dhe e formaton veten brenda një të majte të re. Një element organizativ, një element parlamentar dhe një element doktrinar. Ka nevojë për filozofi që i çon çdo zgjedhësi në Shqipëri mesazhin që ai pret.
Çfarë ndodh nëse projekti juaj rrëzohet në Kongres?
PS nuk ka arsye të shkojë në një çarje. Për sa varet nga unë dhe nga kolegët e mi, PS nuk rrezikon të çahet më. Nëse ka një gjë që na ka dëmtuar është kjo dhe nuk mund t’i fusim një thikë tjetër vetes. Ne do të respektojmë vendimet e shumicës. Nuk dua ta fus kongresin në përplasje njerëzish, por në ballafaqim idesh. Ne nuk mund të shkaktojmë dot zgjedhje të parakohshme përveç se me rrugë parlamentare. Nuk mund të shkaktojmë dot zgjedhje të parakohshme duke qëndruar në bulevard, nga “Skënderbeu” te sheshi “Nënë Tereza”. Ne mund të marrim dot zgjedhje të parakohshme përveçse me rrugë parlamentare. T’i thuash hajde rrimë në rrugë se i imponojmë zgjedhje të parakohshme, kjo nuk bëhet për arsye të shqiptarëve apo socialistëve por për arsye personale. Kjo është arsyeja pse jam kundër.
Udhëheqës tjetër i PS do ta kishte mundësinë për të realizuar divorcin Meta- Berisha?
Unë këtë nuk e di sepse kjo nuk varet nga Partia Socialiste, por varet pak edhe nga Partia Socialiste në perspektivë. Shkesi i qeverisë mes Sali Berishës dhe Ilir Metës ishte për fat të keq Partia Socialiste.
Ishte Rama shkesi?
Në një kuptim ishte Edi Rama dhe Partia Socialiste, sepse ne nuk lamë asnjë rrugë përtej 28 qershorit. Ditën që u kuptua që Sali Berisha kishte 70 vota, ne kishim 66 vota dhe Ilir Meta kishte katër vota. Ilir Meta përveç arsyeve personale që kishte, një inat me Edi Ramën, ai zgjodhi që mes dy palëve të shkojë me atë që kishte më shumë vota. Rama ka dalë në televizor dhe ka thënë se nuk i ka bërë asnjë ofertë Ilir Metës. Duhet t’i kishte bërë një ofertë. Po cila ishte oferta? Oferta ishte që Ilir Meta të rrinte në opozitë me ne. Ai nuk pranoi ofertën të rrinte në opozitë, nëse ka pasur një ofertë, por zgjodhi të shkonte në pushtet.
Meta mbajti një qëndrim...
Pragmatizmi ynë nuk do kapërcejë asnjëherë cakun që kapërceu LSI për të shkuar në qeveri me Sali Berishën.
Nëse Meta s’do bashkohej me Berishën, cila do ishte zgjedhja teknike?
Këtë pyetje bëjani Metës, sepse ai vendosi të mos bëhej me 66, por me 70.
Meta deklaroi se kishte një ofertë nga Rama...
Unë jam i prirur të citoj kryetarin e Partisë Socialiste, i cili deklaroi që nuk i ka bërë Ilir Metës asnjë ofertë dhe nëse nuk i ka bërë Ilir Metës asnjë ofertë ka bërë një gabim. Duhet të kishte bërë një ofertë, kushdo qoftë ajo, qoftë edhe për të ndenjur në opozitë 70-70, mbase ajo do të provokonte zgjedhje të parakohshme. Mundësinë për zgjedhje të parakohshme të shpejta ne e humbëm në ditën që nuk i bëmë Ilir Metës një ofertë.
Nëse autobusi juaj ndryshon shoferin, do ta pranoni shoferin?
Autobusin nuk kam arsye ta ndryshoj. Megjithëse edhe autobusi i Partisë Socialiste është si çdo autobus i Shqipërisë, herë ecën herë mbetet, herë ecën më shpejt seç duhet, herë shoferi kthen kokën mbrapa dhe se ka mendjen dhe del nga rruga, herë ka njerëz që shkojnë i gjuajnë shoferit mbrapa koke dhe fshihen. Është një tragjedi dhe komedi shqiptare autobusi i Partisë Socialiste, për të cilin ankohemi duke qeshur, por prapë mbetemi aty, sepse duhet të rrimë aty.
Sa shanse ka Nano për rikthimin në krye të PS?
S’e di këtë gjë. Edi Rama dhe Fatos Nano sot janë në të njëjtën pozitë, të dy kanë humbur një palë zgjedhje. I pari në vitin 2005, i dyti në vitin 2009. Janë në pozita të barabarta në raport me moralin politik. Të dy kanë të drejtë të kërkojnë një rikandidim. Unë do isha kundër secilës alternativë. Rikandidimin i njërit apo tjetrit do ishte një kthim mbrapa i Partisë Socialiste. Për fat të keq edhe Edi Rama sot është e shkuara e Partisë Socialiste, nuk është më e ardhmja. Kjo është ajo që na diferencon shumë. Unë mendoj për të ardhmen, shumica e Partisë Socialiste mendon për të ardhmen, Edi Rama sot është më afër të shkuarës se të ardhmes.
38 firmëtarët që kanë firmosur rezolutën tuaj, asnjë nuk është deputet i ri që futet për herë të parë në Parlament. Rrezikon kjo ndarje në të vjetër dhe të rinj në PS?
Nëse ju mendoni se unë jam i vjetër dhe Gramor Ruçi është i ri, i hyjmë kësaj ndarje. Sepse kështu po thoni apo jo? Unë nuk e di ku është fillimi dhe fundi i politikës së re. Jam i paqartë. Nëse ka një njeri që kurrë në katër vjet nuk ka përdorur termin politikë e re, jam unë sepse nuk kam qenë kurrë i bindur. Asnjëherë s’kam folur për politikë të re, sepse kam qenë i bindur se politika e re më shumë se sa një diferencë në ide dhe reforma për të cilat kishte nevojë Shqipëria më 28 qershor, si një ofertë e jona, ishte një diferencë mes Edi Ramës, Fatos Nanos, Sali Berishës dhe kujtdo, në fund fare dhe Ilir Metës që doli kundër. Edi Rama preferoi ta quante politikë të vjetër çdo njeri që mendonte ndryshe nga ai. Nesër mund të shihni ndonjë zëdhënës të PS që të thotë se Ben Blushi është politikë e vjetër. Kjo s’do me thënë asgjë. Kjo është arsyeja që s’më ka bindur kurrë. Është gjynah që t’i themi edhe Gramoz Ruçit dhe një deputeti që ka marrë mandatin për herë të parë, t’i themi që këta janë politikë e re dhe ne jemi politikë e vjetër, apo e kundërta. Dikush mendon se PS duhet të ecë përpara duke mos e njohur 28 qershorin. Unë hyj tek ata që duhet të ecë përpara duke njohur defektet e 28 qershorit dhe nuk ka rrugë tjetër PS, për karrierën e secilit prej nesh dhe në fund fare për Shqipërinë. Shqipëria ka nevojë për një opozitë realiste dhe një opozitë që nuk njeh realitetin, është një opozitë që e ka të vështirë të njohë edhe Shqipërinë në fund fare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›